“Lufta çlirimtare nuk mund të kujtohet, nuk mund të mendohet dhe as nuk mund të paramendohet nga askush pa Jasharët”, kështu u shpreh sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve në Prekaz në nderim të familjes Jashari me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Paqes, bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe zëvendësministrin e Mbrotjes, Shemsi Syla.
“Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare, andaj sot u themi të gjithë qytetarëve të Republikës, shqiptarëve mbarë, urime 12 Qershori, Dita e Çlirimit edhe e Paqes, e cila i ka rrënjët pikërisht këtu tek sakrifica dhe flijimi i familjes së gjerë Jasharaj, me ç’rast nga 59 veta gjithsej, gjysma ishin fëmijë e gra krahë për krahë me komandantin, kryekomandantin Adem Jashari, bacën Shaban, Hamzën dhe të gjithë të tjerët aty”, theksoi kryeministri Kurti.
Lavdia e tyre është e përjetshme ashtu sikurse edhe kujtimi ynë i pashlyeshëm, u shpreh në fund kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Lufta çlirimtare nuk mund të kujtohet, nuk mund të mendohet dhe as nuk mund të paramendohet nga askush pa Jasharët.
Tre breza luftuan tri ditë në atë që sot e dimë të gjithë ne dhe jo vetëm ne si epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare andaj sot u themi të gjithë qytetarëve të Republikës, shqiptarëve mbarë, urime 12 Qershori, Dita e Çlirimit edhe e Paqes, e cila i ka rrënjët pikërisht këtu te sakrifica dhe flijimi i familjes së gjerë Jasharaj, me ç’rast nga 59 veta gjithsej, gjysma ishin fëmijë e gra krahë për krahë me komandantin, kryekomandantin Adem Jashari, bacën Shaban, Hamzën dhe të gjithë të tjerët aty.
Lavdia e tyre është e përjetshme ashtu sikurse edhe kujtimi ynë i pashlyeshëm.