LDK e ka arritur marrëveshjen për koalicion me AAK’në, duke ia dhënë hisen e ministrive. Ramush Haradinaj ka treguar se dikasterët e saj do të udhëheqin nga zyrtarët e AAK’së që s’kanë qenë më herët ministra. Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj, Selim Selimi, Blerim Kuçi dhe Ramë Likaj pritet të jenë pjesë e kabinetit qeveritar të Avdullah Hotit.
Marrëveshja për qeverisje mes LDK’së e AAK’së është arritur, e Ramush Haradinaj ka dhënë emrat e ministrave të partisë së tij.
Besnik Tahiri do të jetë zëvendëskryeministri i parë nga AAK’ja në Qeverinë që kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, po synon ta formojë.
Tahiri ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Haradinaj dhe është sekretar i Përgjithshëm i AAK’së. Ai gjatë qeverisjes së Haradinajt ishte Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.
Ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës në disa palë zgjedhje
Në vend të Glauk Konjufcës, politikën e jashtme pritet ta udhëheq Meliza Haradinaj – Stublla. Ajo është pjesë e AAK’së dhe ka qenë këshilltare politike e ish-kryeministrit
Në biografinë e saj të shkurtër në rrjete sociale, Meliza Haradinaj, tregon se është këshilltare e Haradinajt, por nuk ka lidhje të gjakut me të.
Në vitin 2014 ka qenë kandidate e AAK’së për deputete, ku kishte marrë 2153 vota.
Haradinaj – Stublla studimet master i ka kryer në universitetin Oxford.
Vitin e kaluar, ajo është denuar nga Gjykata, për mosdeklarim të saktë pasurisë, gjatë deklarimit të saj si zyrtare e shtetit.
Ministrinë e Drejtësisë, AAK’ja ia ka besuar Selim Selimit.
Ai është ndër njerëzit më të afërt të Haradinajt së fundmi, e këtë e kishte dëshmuar kur ish-kryeministri e emëroi Selimin shef të stafit të tij, pas largimit të Avni Arifit, që ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i kreut të AAK’së ndër vite.
Selimi më parë ka qenë pjesë e kabinetit të Presidentes Atifete Jahjaga, si këshilltar ligjor i saj.
Studimet për drejtësi i ka kryer në Universitetin e Torinos dhe në Duke University në SHBA.
Ministrinë e Arsimit, AAK’ja ka zgjedhur që ta udhëheqë Ramë Likaj, që më parë nuk është parë në pozita politike në vend.
Likaj është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe pritet të marrë nën drejtim një prej dikasterve që konsiderohet që ka pasur rezultatet më të dobëta në Kosovë.
Ndërkaq Ministrinë e Ekonomisë pritet ta udhëheq Blerim Kuqi. Nëse koalicioni i ri qeverisës vendos që këtë ministri ta mbajë siç e ka lënë qeverisja Vetëvendosje – LDK, i bie që Kuqi do të udhëheq Ministrinë për Ekonomi, Punësim, Tregti, Inovacione, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.
Megjithatë, në marrëveshjen LDK – AAK, të publikuar nga Gazeta Express, thuhet se Ministria e Ekonomisë do të jetë bashkë me atë të Ambientit.
Kuçi është pjesë e AAK’së që nga viti 2009, e deri atëherë ka qenë anëtar i LDK’së.
Kuçi ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, kryetar i Suharekës dhe Ministër i Punëve të Brendshme.
LDK dhe AAK janë pajtuar që ta formojnë koalicionin qeverisës edhe me Nismën, ARK’në, Listën Srpska dhe minoritetet joserbe. Akoma nuk janë bërë zyrtare ndarja e ministrive të subjekteve tjera. /Express/