Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur për vizitën e tij të dielën në qytetin e Kharkiv, udhëtimi i tij i parë jashtë rajonit të kryeqytetit që nga fillimi i agresionit rus.
“Kharkivi pësoi goditje të tmerrshme nga pushtuesit”, ka thënë Zelensky.
“Rusia ka humbur tashmë jo vetëm betejën për Kharkivin, jo vetëm betejën për Kievin dhe veriun e vendit tonë”, tha ai. “Ajo humbi të ardhmen e saj dhe çdo lidhje kulturore me botën e lirë”.
Zelensky vlerësoi autoritetet në Kharkiv, por tha: “Për fat të keq, nuk mund të them të njëjtën gjë për udhëheqjen lokale të SBU [shërbimit të sigurisë]”.
Kështu, ai ka bërë të ditur se kishte shkarkuar kreun e SBU-së rajonale, i cili “nuk punoi për të mbrojtur qytetin që në ditët e para të një pushtimi në shkallë të gjerë dhe mendonte vetëm për veten e tij personalisht”.
Zelensky shtoi se “një e treta e rajonit të Kharkiv është ende nën okupim. Ne patjetër do ta ç’pushtojmë të gjithë territorin”.
Duke iu kthyer luftimeve në Donbas, Zelensky bëri të ditur se 90% e banesave në Severodonetsk ishin dëmtuar.
“Marrja e Severodonetsk është një detyrë themelore për kontigjentin okupues. Dhe atyre nuk u intereson se sa jetë do të duhet të paguajnë për këtë përpjekje për të ngritur flamurin rus”.