Thibaut Courtois ka shkëlqyer në portë, ndërsa Vinicius Junior ka shfrytëzuar një nga rastet e rralla, për një tjetër titull evropian të Real Madridit.
Skuadra madrilene ka fituar Ligën e Kampionëve për edicionin 2021/2022, duke mposhtur Liverpoolin në finalen e luajtur të shtunën mbrëma në “Stade de France”. Ndeshja që nisi me 37 minuta vonesë është fituar 1:0 nga Reali, që tani ka plot 14 tituj të kampionit të Evropës. Reali ka vazhduar dominimin në garën elitare evropiane për klube të futbollit. Milani është klubi i dytë më i suksesshëm me shtatë tituj. Liverpooli mbetet me gjashtë.
Në të vërtetë Liverpooli ka dominuar ndeshjen në Saint-Denis, por pa mundur të konkretizoi. “Fajtor” për këtë ishte portieri i Real Madridit, Courtois, që ndali shumë goditje të rrezikshme të lojtarëve të Liverpoolit.
Ndërkohë Reali ka krijuar pak raste të mira shënimi, por ia doli të realizoi. Ishte Vinicius Junior që shtyu topin në rrjetë në minutën e 59-të. Ai shfrytëzoi maksimalisht një pasim në zonë të Federico Valverdes.
Për Realin është titulli i parë që nga viti 2018.
Ndeshja finale nisi me 36 minuta vonesë për shkak të trazirave të krijuara jashtë stadiumit. Fillimisht ndeshja u shty për 15 minuta e më pas edhe për 15 minuta të tjerë. Dhe shtyrja e tretë ishte për gjashtë minuta. Ka pasur shumë akuza për UEFA-n për organizimin jo të mirë të ndeshjes finale, që fillimisht ishte dashur të luhej në Rusi.
Pjesa e parë nuk ka ofruar shumë, me Liverpoolin që rreshtoi rastet. Ndërkohë u komentua shumë një gol i Karim Benzema në fund të pjesës së parë që u anulua për pozitë jashtë loje. Shumë kanë vlerësuar se vendimi i marrë përmes VAR-it nuk ishte i drejtë.