Latifi: Gjendja me Covid-19 në Rahovec nën kontroll, për fermerët së shpejti treg të përkohshëm

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në Interkativ të KTV-së ka thënë se situata me Covid-19 në këtë komunë është nën kontroll.

“Gjendja është e qetë, e mirë, besoj se e kemi nën kontroll. Numri i rasteve të konfirmuara është 18. Sipas burimeve tona, konsiderojmë se Covid-19 ka ardhur nga burim infeksioni në repartin e hemodializës në Spitalin e Prizrenit. Dy punëtore shëndetësore në vendin e tyre të punës kanë marrë infeksionin, e pastaj 14 raste të kontaktit kanë qenë si pasojë i këtyre kontakteve”, ka thënë Latifi.

Ai ka shtuar se rasti i sotëm në këtë komunë është duke marrë trajtim në Prishtinë.

“Rasti i sotëm dje ka dalë negativ, e sot pozitiv. Kurse gjendja e tij është më e dobët dhe është duke marrë shërbime në dializë. Mund të kenë komplikime të tjera në këto lloj situata”, ka thënë ai.

Ai ka konfirmuar se shumica e të prekurve janë në qytetin e Rahovecit.

“Një rast është në Opterushë, bëhet fjalë për punëtoren shëndetësore. Një rast është në Reti, ndërsa pjesa tjetër janë në qytetin e Rahovecit. Natyrisht, hapi i parë ka qenë futja në karantinë e të gjithë pacientëve dhe familjarëve të tyre, dhe rastet e kontaktit janë të vetizoluar. Kemi bërë dezinfektim e vendeve në karantinë të këtyre familjeve. Natyrisht, sipas rasteve, iu kemi shpërnda edhe pako ushqimore e higjienike nëse ka pasur nevojë. Nuk kanë simptome asnjëri prej këtyre rasteve, përveç këtij rastit të sotëm që është i shtrirë në Prishtinë”, ka thënë Latifi.

Tutje Latifi thotë se janë duke menduar që t’u japin zgjidhje edhe fermerëve, që po kanë probleme tani me shitjen e produkteve të tyre.

“Ne kemi kërkuar në vazhdimësi që fermerët të kenë rrethana lehtësuese dhe ato janë krijuar. Ata po i kryejnë punët e tyre dhe po bëjnë një punë mjaft të mirë në këtë kohë pandemie. Fakti që janë mbyllur tregjet, ata nuk kanë edhe ku ti shesin. Ne po përpiqemi që të krijojmë një treg të përkohshëm, në mjediset ku mbahet Hardh Festi që nga 20-30 fermerë duke e respektuar distancën të shesin prodhimet e tyre. Ne duhet të përkujdesemi që të improvizojnë në hapjen e përkohshme të tregut. Është paraparë edhe nga Ministria e Shëndetësisë që të hapen këto tregje. Ne po përpiqemi të respektojmë këto rekomandime”, ka thënë Latifi.