Krasniqi: Qytetarët do të paguajnë çmimin e rrymës pa rritje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Apelit për vërtetimin e vendimit të Gjykatës Themelore lidhur me bllokimin e tarifave të shtrenjtuara të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ai tha se falë kësaj fitoreje ligjore të PDK-së, tash e tutje, rreth 450 mijë familje kosovare do të paguajnë energjinë elektrike pa ngritje të çmimit. 

Krasniqi duke falënderuar qytetarët për besimin në kauzën e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se përmes vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit dhe falë punës dhe angazhimit të ekipit të PDK-së, saga për tarifat e shtrenjtuara të energjisë ka marrë fund.

“Sot, jam shumë i lumtur që ky vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm i Qeverisë dhe ZRRE-së, tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit se ka qenë vendim i kundërligjshëm. Për më shumë të njëjtin vendim e kishin mbështetur në forma të ndryshme edhe presidentja dhe të gjitha levat e pushtetit. Falë punës dhe angazhimit të këtij ekipi, e përmes vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit, saga për tarifat e reja e të padrejta mbi qytetarë ka marrë fund. Nga ky realitet i ri i krijuar, neve na vjen mirë që kemi lehtësuar barrën e kostos së rritur kundërligjshëm të çmimit të energjisë elektrike për rreth 450 mijë familje kosovare. Me këtë rast, para së gjithash dua të shprehë falënderimin për secilin qytetar anekënd Kosovës që i ka besuar kauzës sonë dhe që ka mbështetur angazhimin tonë opozitar për të ndaluar këtë haraç të padrejtë të pushtetit mbi ta.”, tha ai.

Krasniqi theksoi se rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare ka qenë një zgjidhje e paramenduar dhe e projektuar nga Qeveria Kurti, e cila përmes ZRRE-së, edhe e ka bërë një gjë të tillë në muajin shkurt, kur mori vendim për rritjen e tarifave.

“Në parim, është një precedent shumë i keq fakti se një institucion që do të duhej të ishte i pavarur si ZRRE-ja, është vënë në zbatim ekskluziv të projeksioneve të pushtetit, dhe këtë e ka bërë me një injorim të plotë për interesin qytetar dhe me një ftohtësi të plotë. Por, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë kundër këtij vendimi, sepse ka qenë vendim i padrejtë, i dëmshëm për familjet dhe qytetarët e Kosovës, si dhe i panevojshëm, pasi që siç e dimë tashmë, nevojat për import gjatë muajit shkurt, mars dhe prill, kanë qenë jashtëzakonisht të vogla dhe kostoja e imagjinuar e cila ju ka lënë barrë qytetarëve, të cilën është dashtë ta paguajnë përmes tarifave të reja, nuk ka ekzistuar fare, sepse nevojat energjetike pothuajse plotësisht janë mbuluar nga prodhimi vendor.”, tha lideri i PDK-së.

Krasniqi kritikoi mazhorancën në Kuvend dhe Qeverinë Kurti për mungesë konsiderate ndaj kostos së papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike që ishte vendosur për qytetarët me tarifat e reja, andaj PDK si lidere e opozitës me ekipet e saj ligjore, në mbrojte të interesit publik dhe interesit të qytetarëve si konsumatorë është angazhuar maksimalisht për të kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij vendimi të ZRRE-së.

“Natyrisht, kjo fitore ligjore e PDK-së, me mbështetjen edhe të partive tjera opozitare, ndaj pushtetit dhe vendimeve të kundërligjshme të tij, nuk është fitore politike ndaj pushtetit, por fitore meritore për të drejtat e qytetarëve përballë autoritetit të pushtetit kur ai autoritet përdoret kundërligjshëm dhe në dëm të interesit publik. Kjo e shton përgjegjësinë tonë politike dhe Partia Demokratike e Kosovës, si në këtë rast, do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit.”, potencoi Krasniqi.