Presidentja Vjosa Osmani dhe presidenti malazez, Milo Gjukanoviq në konferencën e përbashkët për media kanë folur edhe rreth çështjes së demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.
Presidentja Osmani tha se Mali i zi është ndër shtetet e para që e kanë njohur Kosovën, ndërsa nga 2008-ta ka qenë ndër fqinjët më përkrahës ndaj Kosova dhe kjo miqësi e krijuar do të ruhet e forcohet me çdo kusht, raporton Telegrafi.
“Sa i përket çështjes së demarkacionit Kosova ka ratifikuar tri dokumente, marrëveshjen dy palësh sa i përket vendosjes së kufirit, deklaratën e përbashkët ndërmjet dy presidenteve dhe raportin e Komisionit shtetëror për çështjen e kufirit.
Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona do të diskutohet dhe zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë, raporteve të shkëlqyera miqësore dhe çështjen e trupit të përbashkët teknik që është paraparë në deklaratën e dy presidentëve”, tha presidentja.
Ajo më tej shtoi se ka mjaftueshëm akterë të tjerë që kërkojnë të prishin marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, por sipas saj, Kosova dhe Mali nuk duhet të lejojnë këtë,
“Nuk shoh asnjë çështje që mund t’i prishë raportet tona”, tha presidentja.
Lidhur me çështjen e demarkacionit, foli edhe presidenti malazez, Gjukanoviq.
“Kjo mund të konsiderohet për dikë problematike por vetëm për ata që duan t’i shohin të tilla. Ne nuk dëshirojmë të krijojmë probleme. Ne do t’i përmbahemi dokumenteve të nënshkruara. Do të krijojmë kushte të domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që ky kufi të jetë siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve”, tha ai.