Policia e Kosovës tha se ka pranuar informatë për një alarm për shpërthime të mundshme në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Këto alarme kanë ardhur përmes postës elektronike më 18 maj.
Zëdhënësi i policisë, Agron Borovci, tha për Radion Evropa e Lirë se me të pranuar informatën për shpërthime të mundshme, zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur ndërmarrjen e veprimeve operative, të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë.
Policia tha se ka caktuar një perimetër sigurie dhe ka evakuuar nxënësit dhe personelin e shkollës, derisa specialistët policorë ta verifikojnë informatën.
Një alarm për bombë përmes postës elektronike, të martën, më 17 maj, u raportua edhe në objektin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.LEXONI EDHE KËTË:Policia nuk gjen mjet shpërthyes në Rektoratin e UP-së
Rektorati, pasditen e të martës, kishte lajmëruar policinë, pasi kishin pranuar një e-mail anonim, ku thuhej se ishte vendosur bombë në këtë objekt.
Më pas Policia e Kosovës tha se nuk ka gjetur asnjë mjet shpërthyes në këtë objekt.