Një 24-vjeçar nga Japonia, të cilit i janë transferuar gabimisht në llogarinë bankare mbi 300.000 dollarë, i ka humbur të gjitha duke luajtur bixhoz online, ka deklaruar avokati i tij, raporton BBC-ja të martën.
Japonezi i ka pranuar në llogarinë e tij saktësisht 357.400 dollarë, para këto nga një fond lehtësimi për COVID-19, të cilat duhej t’u ndaheshin 463 personave.
Ai ka deklaruar fillimisht së do të bashkëpunojë me autoritetet, mirëpo më pas është zhdukur.
Qyteti jugor Abu në Japoni e ka paditur atë, duke e konsideruar veprimin e tij si kriminal.
Gabimi ka ndodhur kur 463 familje me të hyra të ulëta duhej të pranonin afro 800 dollarë secila, si pjesë e skemës së ndihmës financiare të qeverisë për të lehtësuar pasojat e pandemisë.
Mirëpo, më 8 prill, të gjitha mjetet janë deponuar aksidentalisht në llogarinë e 24-vjeçarit, i cili sipas një hetimi, që atëherë ka tërhequr nga rreth 4.000 dollarë çdo dite për rreth dy javë rresht.
Kur autoritetet arritën ta gjejnë, ai u ka thënë se nuk ka më para sepse i ka shpenzuar të gjitha.
“I kam shpenzuar tashmë. Nuk mund t’i kthej. Nuk do të iki më. Do të paguaj për krimin tim”, ka thënë japonezi.
Mirëpo ai prapë është zhdukur.
Duke folur për mediat të martën, avokati i tij ka thënë se klienti i tij ka bashkëpunuar me autoritetet dhe se është pajtuar që të intervistohet nga policia. Por që kur është ngritur padia ndaj tij, më 12 maj, zyrtarët nuk kanë qenë në gjendje të kontaktojnë me të.
Sipas autoriteteve, i dyshuari e ka përdorur telefonin e tij për t’i shpenzuar paratë duke luajtur në kazino online.