Futbollisti i Arsenalit, Granit Xhaka, kritikoi bashkëlojtarët e tij pas paraqitjes së dobët në humbjen 2:0 të së hënën mbrëma ndaj Newcastle Unitedit, duke thënë: “Nëse jeni nervozë qëndroni në shtëpi”, shkruan BBC të martën.
Mesfushori ndjeu se paraqitja e skuadrës së tij tregoi se lojtarët e Arsenalit nuk mund të përballonin presionin e ndjekjes së një vendi në mesin e katër ekipeve të para në Premier League. Fitorja ndaj Newcastlet do ta kishte zhvendosur Arsenalin mbi Tottenhamin, më saktësisht në vendin që dërgon sezonin tjetër në Ligën e Kampionëve. Kur ka mbetur edhe një xhiro deri në fund të këtij sezoni, Arsenali renditet i pesti me 66 pikë, dy më pak se Tottenhami. Në rast se Tottenhami e fiton ose barazon ndeshjen e fundit ndaj Norwichit që luhet këtë vikend, atëherë Arsenali sezonin do ta përfundojë në pozitën e pestë, që dërgon në Ligën e Evropës.
“Nëse dikush nuk është gati për këto ndeshje, atëherë më mirë është të qëndroj në shtëpi”, insistoi Xhaka i frustruar. “Nuk ka rëndësi mosha. Nëse jeni nervozë, qëndroni në pankinë ose qëndroni në shtëpi. Ekipi ka nevojë për njerëzit të vijnë këtu dhe luajnë. Ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme për ne. Ne ndihemi shumë të zhgënjyer për njerëzit që erdhën këtu”.
Megjithatë, duke folur për “Sky Sports”, ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Gary Neville, kritikoi komentet e Xhakës.
“Ai po i kontrollon mirë lojtarët në dhomën e zhveshjes”, tha Neville. “Shpresoj se ai nuk do të ishte duke u marrë me këta lojtarë të rinj. Ai ka qenë një turp ndonjëherë duke u përjashtuar nga ndeshjet. Ai e ka lënë Arsenalin në ajër atje”.
Rezultati ndaj Newcastlet do të thotë që Arsenali duhet të mposhtë Evertonin në shtëpi të dielën dhe të shpresojë që Tottenham të humbasë përballë Norwichit, ekip që tashmë disa javë e ka konfirmuar rënien në Championship.
“Ne donim të kishim një ndeshje të madhe, por nuk ndodhi. Njerëzit flasin gjithmonë për liderët. Ne nuk po luajmë tenis, ne po luajmë futboll. Nëse dikush nuk është gati për këtë presion, duhet të qëndrojë në shtëpi”, insistoi Xhaka. “Nuk mund të vijnë këtu dhe të luani në këtë mënyrë. Ne dukeshim shumë keq ndaj Newcastlet. Plani i lojës ishte krejtësisht ndryshe. Ne luajtëm një lojë krejtësisht tjetër. Ne vetëm vrapuam nga minuta e parë deri në të fundit. Kur luan kështu, nuk e meriton të luash në Champions League. Gjë tjetër është presioni. Nëse nuk mund ta përballoni presionin, ai përfundon si në këtë ndeshje. Duket se ne nuk mund të bëjmë diçka kundër presionit”.
Autogoli i Ben White ia dha Newcastlet epërsinë në fillim të pjesës së dytë, përpara se Bruno Guimaraes të shënonte golin e fitores së merituar në pjesën e dytë.
“Nëse Tottenhami humb dhe ne fitojmë, nuk dihet kurrë në futboll”, shtoi Xhaka. “Ne duhet të shpresojmë. Para ndeshjes gjithçka ishte në duart tona. Është një lojë krejtësisht ndryshe tani”.
Humbja nga Newcastle ishte e gjashta për Arsenalin në 11-të ndeshjet e fundit në Premier League. Në fakt, kjo disfatë erdhi katër ditë pas asaj nga Tottenhami (3:0) dhe trajneri Mikel Arteta pranoi se Newcastle ishte më i mirë se skuadra e tij në çdo repart.
“Newcastle e meritonte fitoren edhe pse është vërtet e vështirë të pranosh. Newcastle ishte 100 herë më i mirë se ne. Duhet të ulim kokën dhe të pranojmë se performanca nuk ishte aspak afër standardit të kërkuar për Ligën e Kampionëve”, ka thënë Arteta. “Jam tepër i zhgënjyer. Është shumë e dhimbshme. Ishte në duart tona gjithçka dhe tanimë nuk është. Ne duhet të mposhtim Evertonin dhe të presim që Norwich të fitojë ndaj Tottenhamit. Ka gjithmonë një shans të vogël në futboll. Ne do të përgatitemi për Evertonin, pasi matematikisht është ende i mundur kualifikimi ynë në Champions”.