Kurti: Kam komunikuar me Grenellin edhe pas rrëzimit të Qeverisë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se ka komunikuar me Grenellin edhe pas rrëzimit të Qeverisë.

Kurti insiston se emisari special i presidentit të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka qenë i interesuar për arritjen e shpejtë të një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe jo për përmbajtjen e një marrëveshje të tillë. Tha se me Grenell ka biseduar edhe pasi qeveria e tij u rrëzua në Kuvendin e Kosovës.

“Ambasadori Grenell në tetor dhe në janar ka qenë në Kosovë. Unë e kam takuar në të dy herët. Fillimisht në tetor ai pat thënë se Kosova duhet ta heq tarifën dhe në anën tjetër Serbia duhet të ndalë fushatën e saj në arenën ndërkombëtare kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit tonë në organizatat ndërkombëtare. Mirëpo prej kur shkoi në janar në Beograd këtë pjesën e dytë e hoqi tërësisht dhe thoshte se vetëm Kosova duhet ta heq tarifën 100 për qind ndërkaq nuk fliste fort për punën e kërkesave ndaj Serbisë dhe trysnia e tij në fillim u shpreh me një lloj insistimi që kërkonte të mos diskutohej. Unë vazhdimisht kam komunikuar me të deri vonë, madje edhe pasi jemi rrëzuar si qeveri dhe tash kemi vetëm qeveri në detyrë. Ndërkaq në anën tjetër ai filloi ta shtojë në veçanti trysninë ndaj partnerit tim në qeverisje derisa ata në njëfarë mënyre u dorëzuan e u nënshtruan”, tha Kurti.

“Pra, ai ka pasur një rol i cili nuk ka qenë neutral, përkundrazi ka qenë një rol aktiv por për mua kjo s’do të thotë asgjë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për një emisar të SHBA’së, shumë i fuqishëm, shumë i rëndësishëm me të cilin unë kam bashkëbiseduar mirëpo në anën tjetër gjithashtu nuk kam pranuar që ta vë në pikëpyetje interesin e Kosovës, raportin me Serbinë, subjektivitetin tonë sepse reciprociteti është gjëja më normale në marrëdhëniet bilaterale ne fqinjësinë e mirë pavarësisht insistimeve të tij. Në këtë kuptim mendoj që ai ka qenë shumë i interesuar për të arritur një marrëveshje sa më të shpejtë Kosovë-Serbi me ç’rast përqendrimi i tij ka qenë më shumë tek nënshkrimet në fund të marrëveshjes sesa tek teksti i saj”, shpjegoi Kurti.

Ndërkohë i pari i VV’së foli edhe një herë për prishjen e koalicionit me LDK’në.

“Në momentin kur është braktisur reciprociteti është prishur marrëveshja”, tha Kurti për EuroNews Albania.

Tha se e ka ditur se nuk do të jetë e lehtë por se nuk ka menduar se do të jetë vetëm 50 ditë në krye të qeverisë.

Tha se Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje dhe do të dalë fitimtare.

“Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja dhe do t’i mundim të gjithë edhe po u bën bashkë të gjithë ata”, tha Kurti.

Mohoi se qeveria e tij nuk zgjati për shkak të mos përvojës në qeverisje. Tha se ai u votua nga qytetarët pikërisht për një arsye të tillë.

“Nuk është lavd dhe nuk është argument për të arsyetuar dikë. Qytetarët mua më kanë votuar për shkak se nuk kam përvojë në qeverisje”, tha Kurti.