Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Bislimi tha se ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën.
“Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me rastin e dorëzimit të aplikimit në Këshillin e Evropës. Pas anëtarësimit qytetarët tanë do të kenë edhe një instancë evropiane për t’ i adresuar çështjet e tyre”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri u shpreh se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE është bërë në koordim të plot me miqtë dhe partnerët tanë.
“Dorëzimi i aplikacionit është bërë në koordinim me miqtë dhe partnerët e Kosovës”, tha Bislimi.
Bislimi u shpreh optimist se të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës përfshirë edhe vendet e BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, do ta përkrahin këtë rrugëtim të shtetit tonë.
“Ne besojmë fuqishëm se të gjitha vendet e KiE që e kanë njohur Kosovën do ta mbështesin këtë rrugëtim. Besojmë që edhe vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të dëshmojnë që nuk kanë asnjë interes në pengimin e këtij rrugëtim të shtetit tonë”, tha Bislimi.