Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është deklaruar pas takimit që pati sot me ish-presidentin Hashim Thaçi të cilin e vizitoi në godinën ku po qëndron në paraburgim në Hagë.
Rama u shpreh se ish-presidentin Thaçi e gjeti siç tha në top-formë, dhe i bindur se rruga për në Gjykatën Speciale, ishte e pashmangshme për të dëshmuar drejtësinë dhe pastërtinë e luftës çlirimtare, përcjell klankosova.tv.
”Ishte një çmallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në topformë, i bindur mbase edhe më shumë sesa e kam takuar përpara se të vinte këtu, se kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht përpara drejtësisë pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të UÇK-së dhe të udhëheqësve të UÇK-së”.
”Nuk ka shumë për të thënë, natyrisht që të gjithë ne jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera sepse ajo është tanimë e future në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave të gjakut të dhënë dhe natyrisht të të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej për Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane”.