Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se qeveria e Kosovës nuk do të mund ta fshehë krimin nëse ka ndodhur në lidhje me energjinë në Kosovë, përmes mosvotimit të Komisionit hetimor të cilin e ka kërkuar opozita.
Në një konferencë për media të premten pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk do të votojë asgjë në Kuvend pa miratimin e këtij Komisioni.
“Ne kemi vendosur të mos votojmë dhe të mos marrim pjesë në asnjë votim derisa të mos themelohet Komisioni hetimor për çështje energjetike. Ka ndodhur një menaxhim skandaloz i krizës energjetike në Kosovë, nga zyrtarët më të lartë qeverisës, një papërgjegjësi e paparë prej muajve të verës, vjeshtës dhe kriszës së madhe në dimër dhe ka ndodhur një përfundim skandaloz që i merr Kosovës 120 milionë euro, i vendos në një kompani private dhe prapë rrit faturat e energjisë elektrike deri në 100%. Për këtë Kosovës i duhet transparencë e plotë, po kërkojmë komision hetimor dhe arsyetimet e kota të pushtetit për çështje ligjore rreth themelimit s’mund ta ndalin këtë komision. Krimi nëse ka ndodhur dhe tentoni ta fshihni përmes mosvotim të Komisionit hetimor, nuk do të fshihet, ai mbetet aty, herët apo vonë do të merremi me këtë çështje”, ka thënë Abdixhiku.
Ai e ka ftuar opozitën që ta zhbllokoj të drejtën kushtetuese për themelimin e këtij Komisioni.
“E ftoj pushtetin ta zhbllokoj këtë të drejtë kushtetuese të opozitës. Të mos bëjnë propagandë, të mos lodhen fare, Komisioni hetimor para votimeve të tjera. Sa më shumë që bëjnë përpjekje për ta fshehur më shumë do të insistojmë sepse do të kuptojmë se prapa fshehjes së tyre ka diçka të madhe të vërtetë, të dhimbshme dhe korruptive”, është shprehur Abdixhiku.
Në seancën e 19 prillit të Kuvendit nuk ka kaluar mocioni për futjen në rend të ditës formimin e Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike, pasi vetëm 33 deputetë kanë votuar për. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ky mocion mbetet për seancën e ardhshme.
LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja e kanë lëshuar seancën, duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.