Unitedi së shpejti nis epokën e re me Ten Hagun dhe shumë transferime

“Revolucioni i Manchester Unitedit”, është titulli që gazetari me nam, Fabrizio Romano, ia ka vënë raportimit për ndryshimet që po e presin gjigantin anglez të futbollit së shpejti.

Sipas Romanos, Erik ten Hag do të jetë trajneri i ri i “Djajve të kuq”, por ky s’do të jetë ndryshimi i vetëm.

“Do të ketë rindërtim këtu. Gjashtë, shtatë, ndoshta dhjetë lojtarë të rinj do të vijnë”, ka deklaruar të martën Ralf Rangnick, trajneri i përkohshëm i ekipit, deri verës kur do të dalë në detyrë të re brenda klubit.

“Pos portierit, na duhet të përmirësojmë skuadrën në të gjitha fushat. S’është e mjaftueshme të sjellim tre apo katër lojtarë të rinj”, ka thënë ai pas humbjes 4:0 nga Liverpooli në Premier League.

Romano ka thënë se Unitedi është në bisedime me Ajaxin për të kompletuar marrëveshjen për lirimin e Ten Hagut dhe për ta zyrtarizuar si trajner të ri.

Disa lojtarë pritet të largohen nga Manchester Unitedi këtë verë.