Ka mbi 20 mijë banorë por qytetarëve të Obiliqit po u mungojnë disa shërbime bazë e të nevojshme.
Kjo për shkak se zyra e një noteri këtu mungon.
Pakënaqësi për këtë kanë vet qytetarët të cilët ballafaqohen me këtë problematikë.
Njëri prej qytetarëve thotë se këto shërbime përpos Prishtinës ua ofron edhe komuna e Fushë Kosovës.
Noterizimi është proces zyrtar i parandalimit të mashtrimeve, që siguron palët e përfshira në një marrëveshje apo transaksion, se dokumenti i tyre është autentik.
Zyrtarë të Odës së Noterëve, kanë thënë për RTV Dukagjinin që kërkesën e tyre në Ministri të Drejtësisë e kanë ripërsëritur. Por, nuk e dinë se kur do të hapet konkursi.
“Ne kemi probleme me shumë komuna, kërkesa dihet është e parashtrume atje në ministri dhe ministria për shkak të vendimit të gjykatës që ka prit dhe tani ministria ka thënë se do të hap një konkurs të ri. Si do të veproj ministria është kompetencë e tyre, natyrisht që ne jemi të interesuar që sa më shpejt kjo procedurë të kryhet”, ka deklaruar kryetari i Odës së Noterëve Aliriza Beshi.
Ky problem nuk është vetëm i komunës së Obiliqit, nga 38 komuna që janë gjithsej 16 prej tyre nuk kanë zyre noterie.
Albulena Haxhiu si ministre e Drejtësisë e kishte anuluar konkursin për noter e më pas edhe e kishte dërguar në Gjykatë, pasi sipas saj kishte manipulime dhe nepotizëm brenda të përzgjedhurve nga testimi.
Mirëpo, pas gati dy vitesh Gjykata ankesën e Haxhiut e ka rrëzuar duke e cilësuar si jo ligjore.
Televizioni është interesuar të di nëse do ketë ankesë në shkallën e dytë për këtë çështje apo edhe nëse konkursi për testimin e noterëve do të ndodhë së shpejti, veçse zyra e ministres Haxhiu nuk kanë kthyer përgjigje.