Mëngjesi konsiderohet vakti më i rëndësishëm i ditës për shëndetin e përgjithshëm dhe për ta mbajtur një peshë të dëshiruar, por a e dinit se luan rol të rëndësishëm edhe në mbajtjen e kockave të shëndetshme?
Ju mund ta filloni ditën mbarë me ushqime të mëngjesit që përmbajnë lëndë ushqyese për ndërtimin e kockave, duke përfshirë kalcium, vitaminë D, vitaminë K, fosfor, magnez dhe kalium. Për më tepër, ushqimet e mëngjesit me bazë bimore si perimet, lëngjet 100 për qind të frutave dhe drithërat, ofrojnë gjithashtu antioksidantë që ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe forcimin e kockave, raporton portali “Eat This, Not That”.
Këto janë pesë ushqimet që mund t’i konsumoni në mëngjes, për eshtra të shëndetshme:
Vezët
Vezët jo vetëm që konsiderohen standardi i artë për proteinat me cilësi të lartë, ato janë gjithashtu një nga ushqimet e pakta që përmbajnë vitaminë D. Vitamina D është thelbësore që kockat ta përthithin dhe mbajnë kalciumin. Sigurohuni që ta hani të verdhën e vezës pasi aty gjendet vitamina D.
Qumështi dhe alternativat e qumështit me bazë bimore
Nëse konsumoni drithëra, kafe, çaj apo një ‘smoothie’ për mëngjes, shtimi i qumështit të lopës apo edhe një alternativë qumështi me bazë bimore, mund t’iu sigurojnë lëndë ushqyese të cilat i mbrojnë kockat nga plakja dhe i forcojnë ato. Ushqimet e qumështit janë një nga burimet më të mira të kalciumit dhe vitaminës D, një dyshe dinamike për shëndetin e përgjithshëm të eshtrave.
Jogurti grek
Shijimi i kosit grek është një mënyrë e shkëlqyer për përmirësimin e shëndetit të kockave, falë kalciumit dhe proteinave që ofron. Kosi bëhet nga qumështi, kështu që nuk është çudi që është një opsion i shkëlqyeshëm për lëndët ushqyese që forcojnë eshtrat. Kosi grek siguron gjithashtu magnez dhe fosfor, dy lëndë ushqyese të rëndësishme si dhe është i pasuruar me vitaminë D.
Kërpudhat
Një vezë e përgatitur me shumë kërpudha konsiderohet mënyrë e përkryer për ta marrë një sasi të konsiderueshme të lëndëve ushqyese për ndërtimin e kockave, në vaktin tuaj të parë. Pavarësisht llojit të tyre, kërpudhat janë të pasura me vitaminë D, një nga lëndët ushqyese më të rëndësishme për kockat. Vitamina D e ndihmon trupin ta absorbojë kalciumin.
Lëng portokalli i fortifikuar
Ekzistojnë disa lloje të lëngjeve të portokallit të fortifikuara, të cilat ofrojnë dozë të lartë të kalciumit dhe vitaminës D. Këto lëndë ushqyese që gjenden në lëngun e portokallit, po ashtu konsiderohen shumë absorbuese. Studimet tregojnë se përfshirja e këtyre produkteve të fortifikuara në dietë, mund të ndihmojë në rritjen e lëndëve ushqyese thelbësore në trupin e njeriut.