Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se ka qenë cak i një atentati në Prishtinë 37 vite më parë.
Në emisionin Politiko, ish-anëtari i UÇK-së dhe LPK-së ka thënë se atentati ndaj tij në tanimë kryeqytetin e Kosovës, ka ndodhur në lagjen Aktash.
“Jam në mesin e 11 anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm që jam hetuar, dhe jam hetuar 20 vjet dhe nëse kjo ju duket pak… Një herë kanë dashtë me më vra në Prishtinë në vitin 1985. Më kanë rrethuar në lagjen Aktash”, rrëfeu ai.
Haliti, tutje ka thënë se atentati në Prishtinë nuk ka qenë i planifikuar.
“Mendoj qe ky atentat [në Prishtine] s’ka qenë i planifikuar por kanë dashtë me më vra, kanë gjuajtur në mua. Unë jam shmangur”.
Tutje, ai ka folur edhe vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës.
Haliti ka thënë se kjo ishte goditja më e madhe që mori emigracioni shqiptar i Kosovës. Haliti ka thënë se figurativisht këto vrasje janë të ngjashme me ato të pjesëtarëve të familjes Jashari.
“Në fillim goditja ka qenë vrasja e Jusfit, Kadriut dhe Bardhoshit dhe në përmasa nacionale ka qenë vrasja më me ndikim dhe që e ka dobësuar emigracionin dhe e ka dobësuar veprimtarinë patriotike të emigracionit dhe kjo ka qenë gati e ngjashme me vrasjen që ka ndodhë në familjen Jashari që e mobilizoj popullin, ndërsa atje emigracioni është mobilizuar”, tha ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.