Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se rritja e inflacionit gjatë muajit mars në 10 për qind është një rekord i zi për ekonominë e vendit.
Ai tha se shtrenjtimi i madh i rrymës, ngritja e paparë e çmimeve për prodhimet elementare dhe tani kjo normë dyshifrore rekorde e inflacionit, do ta godasë edhe më ashpër mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Stavileci ka shkruar në faqen e tij në Facebook se ky është një rekord tejet negativ në një kohë shumë të vështirë për koston astronomike të jetesës së familjeve kosovare.
“Pra, inflacioni për muajin mars është 10%. Rritja enorme e çmimeve me këto vlera inflacioni po arrijnë rekorde të zeza për sa i takon rëndesës që po i bëhet një familjeje për ta kaluar mezi muajin. Shtrenjtimi i madh i rrymës, ngritja e paparë e çmimeve për prodhimet elementare dhe tani kjo normë dyshifrore rekorde e inflacionit do ta godasë edhe më ashpër mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë”, tha Stavileci.
Ndërkaq, sipas Stavilecit, qeveritarët edhe ashtu në deflacion vizioni e idesh për t’i tejkaluar sfidat e sotme, me lëmosha të vogla e të çastit po mendojnë se mund të zgjidhen problemet e mëdha ekonomike.
“Përderisa të gjitha po përkeqësohen në kurriz të qytetarëve, ne ende s’e kemi parë asnjë zgjidhje meritore afatgjatë, përveçse lëmoshës për muajin prill, e cila i bie të jetë nga 12.5 euro për muaj deri në fund të vitit. E çka të mbulojnë më parë me këtë vlerë qytetarët e shkretë. Rrymën? Derivatet? Miellin? Bukën? Qumështin? Vajin?”, ka thënë Stavileci.