Dështimi i madh i Putinit

Megjithëse rusët përfundimisht arritën ta merrnin kontrollin në Aeroportin e Hostomelit, rezistenca e ashpër e ukrainasve në rajonin e kryeqytetit i detyroi ta rimendonin planin për pushtim, që bazohej në një pritshmëri nga e cila ukrainasit do të përmbyseshin shpejt, Perëndimi do të dridhej e forcat ruse do ta kishin një përleshje të lehtë

Kievi ishte humbje rusësh për shekuj. Lufta nisi keq për pushtuesit dhe që andej mori teposhtën.

Kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi luftën e tij më 24 shkurt pas muajsh grumbullimi të forcave në kufijtë e Ukrainës, dërgoi qindra komando me helikopterë – më të mirët nga ushtarët e forcave speciale ruse “spetsnaz” – për të sulmuar dhe për të kapur lehtë fushën ajrore në pragun e Kievit.

Forcat e tjera ruse goditën ngado të gjithë Ukrainën, përfshirë qytetin lindor të Kharkivit, si dhe rajonin e kontestuar të Donbasit dhe përgjatë bregut të Detit të Zi. Ama si selia e pushtetit kombëtar, Kievi, ishte çmimi kryesor.

Mirëpo Putini dështoi ta arrijë qëllimin e tij për ta shtypur shpejt ushtrinë e armatosur dhe më të madhe të Ukrainës. Rusët ishin të papërgatitur për rezistencën ukrainase e madje u treguan të paaftë për t’u përshtatur me pengesat, nuk arritën të kombinonin në mënyrë efektive operacionet ajrore dhe ato tokësore, e vlerësuan gabim aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur qiellin e saj dhe prishën funksionet bazë ushtarake si planifikimi dhe ekzekutimi i lëvizjes së furnizimeve.

“Ky është kombinim vërtet i keq nëse doni ta pushtoni një vend”, ka thënë Peter Mansoor, kolonel i pensionuar i ushtrisë dhe profesor i historisë ushtarake në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

Plani i dështuar

Të paktën tani për tani forcat e Putinit janë zhvendosur nga Kievi, në Ukrainën lindore. Në fund të fundit, udhëheqësi rus mund t’i arrijë disa nga objektivat e tij. Megjithatë, dështimi i tij për ta pushtuar Kievin do të mbahet mend gjatë – për mënyrën se si ai i sfidoi pritshmëritë e paraluftës dhe ekspozoi dobësitë befasuese të një ushtrie që konsiderohej si një nga më të fortat në botë.

“Mahnitëse”, është shprehur historiani ushtarak Frederick Kagan i Institutit për Studimin e Luftës, i cili thotë se nuk di të ketë paralele me një fuqi të madhe ushtarake si Rusia që pushton një vend në kohën e zgjedhjes së saj dhe dështimit kaq të plotë.

Në mëngjesin e parë të luftës, helikopterët rusë sulmues Mi-8 fluturuan në jug drejt Kievit në një mision për ta sulmuar Aeroportin Hostomel në periferinë veriperëndimore të kryeqytetit. Duke pushtuar aeroportin, i njohur gjithashtu si Aeroporti Antonov, rusët planifikuan të krijonin bazën nga e cila do të fluturonin me më shumë trupa dhe mjete të blinduara të lehta brenda distancës goditëse nga zemra e qytetit më të madh të vendit.

Nuk funksionoi në atë mënyrë. Disa helikopterë rusë u raportuan se u goditën nga raketat edhe para se të arrinin në Hostomel, dhe pasi u vendosën në aeroport, ata pësuan humbje të mëdha nga zjarri i artilerisë.

Një përpjekje për ta marrë kontrollin e një baze ajrore ushtarake në Vasylkiv, në jug të Kievit, gjithashtu rusët hasën në rezistencë të ashpër, ndërkaq thuhet se u panë disa avionë transportues rusë Il-76 që mbanin parashutistë të rrëzuar nga mbrojtja ukrainase.

Megjithëse rusët përfundimisht arritën ta merrnin kontrollin në Aeroportin e Hostomelit, rezistenca e ashpër e ukrainasve në rajonin e kryeqytetit i detyroi ta rimendonin planin për pushtim që bazohej në një pritshmëri nga e cila ukrainasit do të përmbyseshin shpejt, Perëndimi do të dridhej e forcat ruse do ta kishin një përleshje të lehtë.

Misionet e sulmit ajror pas linjave të armikut, si ai i ekzekutuar në Hostomel, janë të rrezikshme dhe të vështira, siç tregoi ushtria amerikane më 24 mars 2003, kur dërgoi më shumë se 30 helikopterë sulmi “Apache” 0në Irak nga Kuvajti për ta goditur një divizion të Gardës Republikane irakiane. Gjatë rrugës së tyre, “Apachët” u ndeshën në armë të vogla dhe zjarr kundërajror. Megjithatë, ushtria amerikane u rikuperua nga ajo pengesë dhe shpejt e pushtoi Bagdadin.

Image
Në përpjekje për ta marrë kontrollin e një baze ajrore ushtarake në Vasylkiv, në jug të Kievit, gjithashtu rusët hasën në rezistencë të ashpër

Fakti që sulmi në Hostomel nga Brigada Ajrore e Gardës së 45-të ruse për qëllime të posaçme dështoi, mund të mos binte në sy në retrospektivë nëse përpjekja më e gjerë ruse do të ishte përmirësuar nga ajo pikë. Ama nuk ndodhi.

Rusët bënë kontrolle të vogla dhe të pasuksesshme në zemër të Kievit, dhe më vonë ata u përpoqën ta rrethonin kryeqytetin duke u harkuar më në perëndim. Përkundër mosmarrëveshjeve të mëdha, ukrainasit mbajtën terrenin e tyre dhe luftuan, duke penguar rusët teksa vunë në përdorim një gamë të gjerë armësh perëndimore, duke përfshirë armë portative antitank “Javelin”, raketa antiajrore “Stinger” e shumë më tepër.

Javën e kaluar rusët e braktisën Aeroportin Hostomel si pjesë e një tërheqjeje me shumicë në Bjellorusi dhe Rusi.

Mansoor mendon se rusët e nënvlerësuan numrin e trupave që do t’u duheshin dhe treguan “një paaftësi të habitshme” për t’i kryer funksionet bazë ushtarake. Ata vlerësuan shumë gabim se çfarë do të duhej për të fituar betejën për Kievin, ka shtuar ai.

Putini i befasuar

Putini nuk ishte i vetmi i befasuar nga dështimet fillestare të ushtrisë së tij. SHBA-ja dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë kishin kuptuar se nëse pushtimi do të ndodhte, forcat në dukje superiore të Rusisë do ta copëtonin ushtrinë e Ukrainës si thikë e nxehtë nëpër gjalpë. Ata mund ta pushtojnë Kievin brenda pak ditësh dhe të gjithë vendin brenda disa javësh, megjithëse disa analistë pyesnin nëse Putini e kishte kuptuar sa shumë forcat e Ukrainës kishin fituar nga trajnimi perëndimor që u intensifikua pas kapjes së Krimesë në vitin 2014 dhe inkursionit në Donbas.

Më 25 mars, mezi një muaj pas fillimit të pushtimit, rusët deklaruan se kishin arritur qëllimet e tyre në rajonin e Kievit dhe do të zhvendosnin fokusin në zonën separatiste Donbas në Ukrainën lindore. Disa dyshuan për një dredhi të Putinit për të blerë kohë pa hequr dorë nga synimet e tij maksimaliste, mirëpo brenda pak ditësh tërheqja e Kievit u shfaq plotësisht.

Putini mund të arrijë ende të ripërqendrojë përpjekjet e tij të luftës në një qëllim më specifik për zgjerimin e kontrollit rus në Donbas dhe ndoshta sigurimin e një korridori tokësor nga Donbasi në Gadishullin e Krimesë. Ama dështimi i tij në Kiev zbuloi dobësi që sugjerojnë se Rusia nuk ka gjasa të përpiqet përsëri së shpejti për të rrëzuar kryeqytetin kombëtar.

“Mendoj se ata e morën mësimin e tyre”, është shprehur Mansoor.

Ukraina mbledh faktet e krimeve të luftës

Forcat policore të Ukrainës kanë nisur punën e rëndë për mbledhjen e provave të vrasjeve të civilëve nga forcat ruse. Ata gjithashtu po lokalizojnë trupat e të zhdukurve në fshatrat dhe qytetet përreth Kievit. Në Andrivka, fshat i vogël 60 kilometra në perëndim të kryeqytetit, dy policë erdhën për të identifikuar një burrë të vrarë. Trupi i tij ishte lënë në ara. Afër tij ishin gjurmët e tankeve të pozicionuara në fund të arës. Kapitenia Alla Pustova thotë se vetëm në dy ditët e fundit kanë gjetur 20 trupa në zonën e qytetit të vogël Makariv. “Jemi në kërkim të viktimave, po i identifikojmë ato. Kemi intervistuar njerëz dhe po dokumentojmë faktet e tjera”, ka thënë ajo. Policia ka trokitur derë më derë, duke u kërkuar banorëve informacione pasi kanë pranuar raste të personave të zhdukur. 51-vjeçari Vasyl Malyuga thotë se ushtria ruse dhe njësitet speciale arritën në Andriivka më 2 mars. I është kontrolluar telefoni dhe rusët zbuluan se po komunikonte me familjarët e tij në lidhje me aktivitetet e ushtrisë ruse. Më pas është arrestuar dhe është mbajtur në një strehimore të kafshëve. “Erdhëm më 2 mars dhe i thyen telefonat e të gjithë banorëve. Më arrestuan dhe më sollën këtu, pastaj sollën disa të tjerë. Të gjithë ishim të lidhur. Na sollën bukë pas dy ditësh”, ka thënë ai. Autoritetet ukrainase kanë thënë se trupat e së paku 410 civilëve janë gjetur në zonat përreth Kievit, përfshirë edhe Buchan. Shumica e tyre janë vrarë në distanca të shkurtra me duar të lidhura. Në trupat e të vrarëve kishte shenja torture.

Ukrainasit kthehen në shtëpitë e rrënuara

Fshatrat përreth Kievit janë kthyer nën kontrollin e forcave ukrainase. Me to kanë nisur të kthehen edhe banorët, mirëpo pamja e fshatit nuk ishte si dikur. Njëri prej tyre ka gjetur shtëpinë të bërë rrafsh me tokë. Banori i Novoselivkas në veri të rajonit Chernihiv të Ukrainës është kthyer në fshat për të gjetur shtëpinë rrafsh me tokë nga bombardimet ruse. Është një prej qindra fshatrave nga të cilat është tërhequr ushtria ruse, mirëpo prapa ka lënë vetëm rrënoja. Në pamjet e publikuara nga televizioni lokal ai kthehet i tmerruar në fshatin e tij. “Ranë bombat dhe shkatërruan gjithçka. 17 persona po fshiheshin në bodrum. Anëtarët e familjes sime shpëtuan falë atij bodrumi”, ka thënë ai. Teksa shtëpitë digjeshin, ai nuk mundi të kthehej për të shpëtuar, të paktën dokumentet dhe fotografitë e familjes. “E pashë shtëpinë duke u djegur dhe nuk mund të afrohesha – pak minuta më vonë u takova me familjen dhe i largova. Njerëzit këtu kishin gjithçka, dhe brenda sekondës nuk kishin asgjë”, ka shtuar ai. Në mesin e rrënojave ai gjeti macen e shtëpisë. Në fillim të javës ushtria ukrainase ka marrë kontrollin e disa qyteteve në veri të Chernihivit Mirëpo presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka tërhequr vërejtjen se forcat ruse janë duke u rigrupuar për sulme të reja në lindje dhe jug të Ukrainës.