Dy pacientë me koronavirus në QKUK, në gjendje të rëndë shëndetësore

Dy pacientë të prekur me koronavirus të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK’së, janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Këtë e ka bërë të ditur infektologu Valbon Krasniqi, i cili tutje tha se gjithsej 55 pacientë janë duke u trajtuar në Infektivë, tetë prej të cilëve janë me oksigjenoterapi, ndërsa 45 persona janë në gjendje stabile.

“Për momentin i kemi 55 pacientë të shtrirë në Klinikë të konfirmuar se janë të prekur me COVID-19. Gjendja shëndetësore e tyre e përgjithshme e 45 prej tyre është e mirë dhe janë në gjendje stabile. Ndërkohë që i kemi 8 pacientë me oksigjenoterapi dhe dy të tjerë i kemi në gjendje më të rëndë në repartin intensiv të Klinikës sonë, njëri nga ta është i intubuar në ventilim mekanik, po gjendja e këtyre dy personave që janë në repartin intensiv paraqitet shumë e rëndë”, tha ai.

Krasniqi tha se nuk ka raste të reja me koronavirus brenda stafit shëndetësor të Klinikës Infektive dhe se të pesë infermieret e kësaj Klinike që ishin prekur me këtë virus janë shëruar.

“Për momentin nuk kemi staf të ri të konfirmuar, ju e dini që kemi pasur, e kam fjalën për Klinikën Infektive, e dini që kemi pasur pesë infermiere me COVID-19 pozitiv dhe që të pestat për fat janë shëruar. I kemi edhe punëtorët tjerë që i testojmë herë pas herë sipas indikacioneve i kemi nën mbikëqyrje”, tha ai.

Deri më tani në vendin tonë janë 763 raste të konfirmuara me COVID-19, 21 persona kanë vdekur, ndërsa janë shëruar 166 persona.