Rreth 12 milionë euro ka eksportuar mallra Serbia në Kosovë, që nga fillimi i këtij muaji, kur edhe filloi së zbatuari masa e reciprocitetit e vendosur nga qeveria në detyrë.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se janë 1497 dërgesa që kanë ardhur nga Serbia në Kosovë që nga data 1 prill.
“Kurse nga Kosova në Serbi janë eksportuar mallra në vlerë rreth 800 mijë euro. Dominon industria ushqimore, si dhe ajo kimike në import, derisa në eksport janë disa produkte bimore dhe industri ndërtimore”, thuhet në përgjigje.
Në fillim të muajit prill, Qeveria në detyrë e Kosovës e ka zëvendësuar taksën prej 100 për qind për produktet serbe, të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, duke futur gradualisht masat e reciprocitetit.