Rrjeti i njohur social, Twitter, ka konfirmuar se po punon në një buton që do t’ua mundësonte përdoruesve ndryshimet e postimeve pasi veçse t’i bëjnë publike.
Vendimi është marrë pas pyetjes që anëtari i ri i bordit, shefi i Teslas Elon Musk, ua bëri ndjekësve nëse e duan këtë veçori.
Shumë përdorues kanë bërë thirrje për një buton të tillë, por ka shqetësime se si do të përdoret.
Twitteri ka thënë se do ta nisë testimin e idesë në muajt në vijim.
“Tash që gjithkush po pyet… Po jemi duke punuar në një veçori të editimit që nga viti i shkuar! Dhe jo, s’e kemi marrë idenë nga pyetja 😉”, thuhet në postim.
Përdoruesit e shërbimit me pagesë do të kenë qasje më herët në këtë veçori.
Nën këtë funksion përdoruesit do të mund të rregullojnë gabimet që i bëjnë në postim, pa e humbur asnjë përgjigje apo pëlqim.
Nga kompania kanë thënë se kjo është kërkesa më e shumtë që kanë pas përdoruesit e rrjetit social ndër vite.