Madrilenët kërkojnë hakmarrjen ndaj londinezëve

Real Madridi është gati për të eliminuar edhe një kundërshtar tjetër të madh në rrugën drejt triumfit në Ligën e Kampionëve.

Pasi eliminoi Paris Saint-Germainin në 1/8 e finales, Reali në çerekfinale e ka përballë kampionin në fuqi të Evropës, Chelsean. Ndeshja e parë do të luhet të mërkurën prej orës 21:00 në “Stamford Bridge” në Londër, ndërsa ajo e kthimit pas një jave në Madrid. Skuadra që avancon në gjysmëfinale të Championsit do ta ketë për kundërshtar fituesin e çerekfinales tjetër, atë ndërmjet Manchester Cityt dhe Atletico Madridit.

Te Reali janë në pritje të trajnerit Carlo Ancelotti, i cili nëse del negativ në testin për koronavirus mund t’i bashkohet ekipit në ditën e ndeshjes. Në të kundërtën, Realin do ta udhëheqë i biri i Ancelottit, Davide, që ishte në krye të ekipit edhe në fitoren 2:1 ndaj Celta Vigos vikendin e shkuar në La Liga. Realit për këtë ndeshje i janë kthyer Karim Benzema e Ferland Mendy që luajtën ndaj Celtas dhe janë stërvitur normalisht gjatë kësaj kohe.

Reali sezonin e shkuar u pat eliminuar në gjysmëfinale te Championsit nga Chelsea, ekip që më vonë triumfoi në këtë garë elitare.

Ancelotti ka qenë për dy vjet në krye të Chelseat përpara se ta marrë Realin herën e parë në vitin 2013. Ai tani është kthyer për një sukses tjetër në Champions, të cilin e pati shijuar në vitin 2014 me madrilenët.

“Jam shumë i lumtur që po kthehem të luajë në këtë stadium, por tani si kundërshtar. Chelsea synon ta fitojë ndeshjen, por edhe unë dua të njëjtën gjë me Realin. Kështu që nuk pres duartrokitje nga tifozët. Jam i përgatitur për ta ndihmuar ekipin tim dhe jam shumë i lumtur që tani po kthehem të luajë para tifozëve, pasi vitin e shkuar stadiumi ishte i zbrazët për shkak të virusit”, ka thënë portieri Thibaut Courtois, i cili për shtatë vjet ka qenë pjesë e skuadrës së Chelseat (2011-2018).

“Synimi im është ta fitojmë këtë sezon Ligën e Kampionëve, pasi ky do të ishte trofeu im i parë i kësaj gare. Ne tashmë e kemi kaluar një pengesë të madhe për të ardhur deri këtu dhe synojmë të vazhdojmë edhe më tej. Shpresoj të fitojmë dhe të arrijmë edhe një herë në gjysmëfinale, por nuk do të jetë lehtë”.

Për dallim prej Realit, Chelsea në këtë përballje futet pas humbjes së thellë dhe befasuese që e pësoi javën e shkuar në Premier League. Londinezët pësuan 4:1 në shtëpi nga skuadra e Brentfordit. Kjo ishte humbja e dytë në dhjetë ndeshjet e fundit e Chelseat në të gjitha garat. Chelsea u kualifikua në çerekfinale të Championsit, pasi eliminoi Lillen me rezultatin e përgjithshëm 4:1.

Edhe londinezët pothuajse do të jenë të kompletuar për këtë ndeshje pasi të martën me pjesën tjetër të ekipit stërvitën edhe Christian Pulishiq e Reece James.

“Shpresoj që të reagojmë menjëherë pas humbjes që e pësuam në kampionat. Natyrisht, do të paraqitemi kundër një ekipi shumë të fortë dhe do të kemi vështirësi. Do të futemi në ndeshje me vetëbesim dhe do të mundohemi të fitojmë. Ne e eliminuam sezonin e shkuar, por tani Reali është një ekip krejtësisht tjetër që ka treguar paraqitje të mira dhe ka eliminuar skuadra të mëdha. Ne duam ta dëshmojmë veten ndaj një kundërshtari special dhe për këtë arsye jemi të emocionuar”, ka thënë trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel.

Të mërkurën mbrëma do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër çerekfinale, ajo ndërmjet Villarrealit dhe Bayernit. Ekipi nga Bundesliga vlerësohet favorit përballë Villarrealit që ka eliminuar Juventusin për t’u kualifikuar në çerekfinale.

“Duhet ta shijojmë këtë mundësi, të luajmë kundër një ekipi favorit dhe që ka ecuri fantastike pa humbje. Ne kemi ambicie dhe këtë do të mundohemi ta dëshmojmë edhe ndaj Bayernit”, ka insistuar trajneri i Villarrealit, Unai Emery.

E mërkurë (21:00)
 

Chelsea – Real Madrid

Villarreal – Bayern M.