Presidentja Osmani: FSK-ja ka dëshmuar partneritet të besueshëm me SHBA-në

Presidentja Vjosa Osmani, në njëvjetorin e marrjes së detyrës, deklaroi se si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ky institucion, ka dëshmuar partneritet të besueshëm me SHBA-në dhe vende të tjera.

Ajo deklaroi të hënën para mediave, se për herë të parë në histori, trupat e FSK-së kanë zbarkuar me mision paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt, e tani siç theksoi Osmani, po punohet me partnerët amerikanë që misione të tilla të ketë edhe në të ardhmen.

“Është organizuar ushtrimi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, ‘Defender Europe 21’, duke e bërë kështu partneritetin tonë edhe më të dukshëm e më funksional me vendet aleate, e në veçanti siç e përmenda, me SHBA-në”, tha Osmani.

E para e shtetit tha se me SHBA-në dhe me vendet e tjera do të vazhdojë bashkëpunimi ushtarak.

“Me SHBA-në dhe shtete të tjera po zhvillojmë diskutimet për intensifikim të bashkëpunimit bilateral ushtarak dhe në çdo vizitë time jashtë vendit, kam iniciuar thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Kjo është e domosdoshme pas zhvillimeve të fundit në Evropë”, shtoi ajo.