Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë dritën e gjelbër nga presidenti i vendit Hashim Thaçi që të krijojë shumicën parlamentare për të formuar qeverinë e re. Deri më tani, LDK ka nisur bisedimet me AAK-në dhe Nismën për të lidhur një koalicion qeverisës. Burime të T7 brenda LDK-së kanë treguar se kush do të jenë gjashtë emrat e LDK-së që do të drejtojnë ministritë si dhe postin e zëvendëskryeministrit
T7 mëson se emrat e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për ministra janë: Vlora Dumoshi do të vazhdojë të udhëheq Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Agim Veliu do të vazhdojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Lumir Abdixhiku do të kalojë në Ministrinë e Financave dhe Transfereve. Lutfi Zharku do të zë vendin e Abdixhikut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit. Hykmete Bajrami do të emërohet zëvendëskryeministre. Armend Zemaj do të jetë ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndërkaq befasia në listën e LDK-së është infektologu Valbon Krasniqi, të cilin deri më tani jemi mësuar duke e parë në prononcimet e tij për gjendjen me COVID-19 në Kosovë.
Sipas këtyre informatave brenda LDK-së, Valbon Krasniqi do të udhëheq Ministrinë e Shëndetësisë.
Në Qeverinë Kurti, LDK-ja kishte edhe ministrinë e Mbrojtjes, të udhëhequr nga Anton Quni, por tashmë kjo ministri nuk do t’i takojë më LDK-së.
Ndërkohë, LDK-ja tashmë ka dhënë emrin e Avdullah Hotit si mandatar për kryeministër të Kosovës.
Ndërkaq në bisedimet me LDK-në, është vendosur që AAK-ja të ketë tre ministra në qeverinë e re.
Kush kryesor i LDK-së për partitë tjera për formim të qeverisë është që emrat e propozuar për ministra të mos kenë asnjë aktakuzë.
Ndërkohë përveç AKK-së dhe Nismës, është përmendur edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit për të qenë pjesë e qeverisë së re, mirëpo kjo ende nuk është konfirmuar.