Chelsea dhe Wolverhamptoni kanë zgjuar interesim për yllin kosovar, i cili po e kalon këtë vit në formë huazimi tek Baseli. Mediat britanike shkruajnë se dy klubet e Premierligës e kanë vëzhguar këtë sezon 21 vjeçarin, i cili gjatë verës do të rikthehet në Genk
Edon Zhegrova mund ta vazhdojë karrierën në Premierligë.
Në fakt, mediumi britanik “Daily Star” shkruan se Chelsea dhe Wolverhampton Wanderers janë të interesuara për transferimin e yllit të ri kosovar.
21 vjeçari është duke e kaluar këtë sezon në formë huazimi në Basel, ndërsa gjatë verës pritet të rikthehet tek Genku pasi klubi zviceran nuk dëshiron ta shfrytëzojë mundësinë e blerjes së kartonit të tij.
Ndërkohë, mediumi britanik shkruan se të dyja klubet e Premierligës i kanë sytë kah përfaqësuesi kosovar.
Madje, ato i kishin dërguar skautët e tyre për ta përcjellë Zhegrovën, por që vëzhgimi i tij u ndal shkaku i ndërprerjes së futbollit si rezultat i pandemisë koronavirus.
Zhegrova i ka realizuar dy gola dhe i ka dhuruar katër asistime në 27 ndeshje të zhvilluara me Baselin këtë sezon.
Premierliga do të ishte një opsion i pëlqyer nga futbollisti ofanziv.
Për çdo rast, ai do të rikthehet në Genk për të bërë përvojë më të madhe.