Zelensky: Rusia po bën gjenocid në Ukrainë


Populli i Ukrainës nuk dëshiron të nënshtrohet nga Rusia dhe si rezultat po shkatërrohet dhe shfaroset, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Duke folur për CBS News përmes një përkthyesi të dielën, Zelensky ka thënë se pushtimi rus po e torturon gjithë kombin.

I pyetur drejtpërdrejt nëse veprimet e Rusisë përbënin gjenocid, ai tha: “Në të vërtetë, ky është gjenocid. Eliminimi i të gjithë kombit dhe popullit. Ne jemi qytetarët e Ukrainës. Kemi më shumë se 100 kombësi”.

“Kjo ka të bëjë me shkatërrimin dhe shfarosjen e gjitha këtyre kombësive. Ne jemi qytetarë të Ukrainës dhe ne nuk duam të nënshtrohemi ndaj politikës së Federatës Ruse. Kjo është arsyeja që ne po shkatërrohemi dhe shfarosemi dhe kjo po ndodh në Evropën e shekullit të 21-të”.