Agim Ademi është mburrur se e ka rritur buxhetin e Federatës së Futbollit të Kosovës në 17 milionë euro. Rritja e buxhetit të FFK-së në fakt bëhet kryesisht me fondet që për Federatën kosovare i ndajnë UEFA e FIFA. Kjo bëhet e qartë nëse shikohen pasqyrat financiare të FFK-së të paraqitura për delegatët e FFK-së për Kuvendin e 6 prillit.
Pjesën më të madhe të buxhetit Federata e Futbollit e Kosovës e siguron nga Konfederata Evropiane e Futbollit, UEFA. UEFA është organizatë me të hyra të mëdha financiare, kryesisht për shkak të Ligës së Kampionëve. Dhe për federatat nacionale vazhdimisht ndan miliona euro.
Hise në buxhetin e madh të UEFA-s tashmë ka edhe FFK-ja.
Në vitin 2021, sipas të dhënave të prezantuara nga FFK-ja, UEFA i ka ndarë Federatës kosovare mbi 8.9 milionë euro (8.903.682 euro). Kjo shumë është dukshëm më e madhe se ajo e ndarë në vitin 2020 – 4.74 milionë euro. Dhe kjo përkrahje masive e UEFA-s mundëson që të rritet buxheti i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), FFK-ja në vitin 2021 përfitoi mbi 3 milionë euro (3.045.927 euro). Në vitin 2020 nga FIFA, FFK-ja mori “vetëm” 993 mijë euro.
Sipas pasqyrave financiare të paraqitura nga FFK-ja, “të hyrat nga të drejtat autoriale” në vitin 2021 ishin dukshëm më të vogla se në vitin 2020. Derisa në vitin 2020 në këtë kategori të hyrat ishin 2.37 milionë euro, vjet të hyrat ishin 598 mijë euro.
Nga sponsorizimi, FFK-ja në vitin 2020 kishte të hyra prej 60 mijë eurosh, ndërsa në vitin 2021 mbi 306 mijë euro.