Epidemia e re me emrin komplotizëm

Disa thonë që virusi është krijuar vetë. Të tjerë që është faji i 5G. Që e bënë amerikanët. Jo, kinezët … Në kohë pasigurie, përgjigjet kërkohen edhe tek tezat më të pamundura. Dhe teoritë e komplotit janë të shumta. Duke u shndërruar edhe në një instrument të luftës gjeopolitike

Duket se pasi terrorizmi të jetë ezauruar si shkak i masave të jashtëzakonshme, shpikja e një epidemie mund të ofrojë pretekstin ideal për zgjerimin e tyre, përtej të gjitha kufijve. Kishim mangut edhe mohuesit e pandemisë për të kompletuar teatrin tashmë të pasur të të ashtuquajturve teoricienë të komplotit, ata që në momente kaosi hedhin hipoteza komplotesh në emër të një kundër-informacioni “të shëndetshëm”.

Në pak javë të Covid-19, jemi përmbytur me një mijë përgjigje për dyshimet tona. Disa prej të cilave janë sinqerisht të besueshme. Fjala vjen, si historia e koronavirusit të gjeneruar në një laborator në Wuhan. Ideja kaloi nëpër mendjet e shumë njerëzve në fillim. Pastaj qarkulloi kronika televizive e Rai Leonardo, e nëntorit 2015, e cila tregonte eksperimentet e kryera nga kinezët për të krijuar një “kimera”, një supervirus që bënte bashkë një proteinë të lakuriqëve të natës dhe Sars. Zemërimi ishte i shpejtë dhe i fortë, derisa virologu Roberto Burioni kujtoi sesi studimet e fundit të botuara në “Nature Medicine” vërtetuan origjinën “natyrale dhe zoonotike” të virusit.

Shumë më të forta janë rindërtimet e tjera të komplotit. Për dikë, koronavirusi thjesht nuk ekziston, siç thotë artikulli në të përditshmen “Il Manifesto”: është një shpikje për t’i mbajtur të gjithë nën kontroll dhe për të kufizuar liritë. Kushdo që ka lexuar Eleonora Brigliadorin (“Eshtë një komplot amerikan”; “Koronavirusi nuk ekziston”; “Unë dal kur të dua”) e di se ish-prezantuesja është vetëm maja e ajsbergut të asaj që qarkullon në WhatsApp, Telegram, Twitter, etj. Në YouTube, një farë elvis76c shkruan: «Shtatëdhjetë kamionë ushtarakë për të transportuar 160 arkivole? A nuk mund të përdornin dy ose tre duke bërë shumë rrugë? Po këta 160 vdiqën në unison? Dëgjoni, të dashur miq, këtu nuk është çështja për të qenë komplotistë, por për të mos na bërë për budallenj”.

Ndër teoricienët e komplotit që pranojnë ekzistencën e Covid-19, tema kryesore është “kush” e ka shkaktuar atë. Keni menduar ndonjëherë për 5G? Teknologjia e re e telekomunikacionit, thonë ata, do të zhbëjë mbrojtjen tonë imune duke inokuluar sëmundjen në trup. “Cili ishte qyteti i parë në botë që instaloi rrjete 5G? Wuhani! Dhe rajoni i parë evropian? Italia Veriore”, shkruante në Twitter Gunter Pauli, një mendimtar i afërt me Beppe Grillon dhe sot këshilltar ekonomik i Giuseppe Contes.

5G dhe koronavirusi janë të lidhur mes tyre, edhe për blogerin turbo-konspirativ Rosario Marcianò, i njohur për teoritë e komplotit, mohimin e masakrës së Bataclanit (ata ishin aktorë, jo të vdekur) dhe mistifikues i të vërtetave të tjera të dhimbshme publike. Kanali i tij në Facebook, Tanker Enemy u sekuestrua pak ditë më parë nga policia, për publikimin e një video në të cilën ai bënte thirrje për mosrespektim të rregullave të karantinës. Në faqen me të njëjtin emër, e cila është ende online, mes të tjerave ai shkruan: “Pse kompani të ndryshme që merren me mësimin në distancë, tashmë i kishin të gatshme të gjitha programet dhe aplikimet për mësimdhënien telematike?” Tamam: kush qëndron prapa programit kompjuterik për shkolla?

E megjithatë ne duhet të jemi mësuar me teoritë e komplotit. E njëjta gjë ndodhi me Sars dhe Ebolan. Edhe me SIDA-n. Thuhej se i kishte dalë nga kontrolli ushtrisë amerikane, në kërkim të një arme të fuqishme biologjike. Pastaj u vërtetua se teoria ishte pjesë e një fushate disinformuese të orkestruar nga KGB. Dhe ndërsa historia përsëritet, javët e fundit Rusia është akuzuar për orientimin e lajmeve të rreme që fajësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim destabilizimin e vendeve evropiane.

Një plan djallëzor nga amerikanët: kjo është deri tani ideja e një komploti me të cilin njerëzit indinjohen më shumë. “Unë po filloj të besoj se koronavirusi është një operacion i madh për të rrëzuar ekonominë kineze dhe evropiane, si dhe shpërqendrimi masiv, për të hapur dyert për operacione ushtarake në shkallë të gjerë, për të cilat sot dihet shumë pak”, ka shkruar në Twitter regjisori Gabriele Muccino. Referenca është për operacionin Defender Europe 20, një stërvitje e NATO-s me dislokim të madh të forcave amerikane në territorin evropian.

“Stërvitja amerikane është një luftë botërore e gatshme për të nisur”, janë ngrohur mediat sociale. “Ata na vendosën në gjendje të jashtëzakonshme dhe ushtarët amerikanë janë këtu për të shuar çdo protestë. Të rezistencojmë!”

“Si nuk mund ta kuptoni: Amerika tashmë ka vaksinën dhe ushtarët imunë ndaj Covid do të komandojnë, ndërsa ne vdesim”. Meqë ra fjala, për shkak të virusit stërvitja amerikane u zvogëlua nga 20,000 në 6,000 ushtarë. Pushtimi u shty.

Një video e mbërritur në shumë telefona inteligjentë quhet “Ishte lakuriqi i natës” dhe buron nga kanali YouTube Luogoco-mune2 nga Massimo Mazzucco, princi i komplotizmave të kohëve të sotme, nga mashtrimi i Kullave Binjake e deri te mohimi i uljes në Hënë, e deri te trajtimet alternative kundër kancerit. Në video, Mazzucco lidh një seri testesh për të demonstruar, mes të tjerash, se një “dorë amerikane” solli një virus të gatshëm në Kinë. Si do të arrinte atje? Falë sportistëve që morën pjesë në Kampionatin Botëror Ushtarak në Wuhan, në Tetor. Që është njëkohësisht e vërteta e mbrojtur “nën tryezë” nga qeveria kineze. “Teoritë e konspiracionit janë një front i ri, një rrëfim i krizës që e përdorin për të garuar në nivel global”, thot Julian Gewirtz nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit. Dhe falë teknologjisë, kjo narrativë përhapet nëpër botë.

Deri në pikën që, edhe në Itali shumë e kanë kapur me Bill Gates: ai subvencionoi Institutin Britanik të Kërkimit Pirbright për të krijuar imunizim nga bronkiti infektiv i shpendëve, por akuzohet se ka krijuar si Covid-19 ashtu edhe vaksinën përkatëse. Qëllimi: të vendoset një Rend i Ri Botëror i “elitës globaliste”, që do të sundojë popujt pasi t’i ketë shfarosur, në emër të ndryshimit të klimës.

Edhe eseisti, komentatori dhe filozofi Diego Fusaro ka insistuar për përgjegjësitë amerikane: “Ndoshta është një luftë bakteriologjike nga Shtetet e Bashkuara”. Dhe më tej: “Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të godasin vendet që nuk janë reshtuar krah tyre”. Referenca është gjithashtu për Italinë, fajtore që ka nënshkruar marrëveshjet për Rrugën e Re të Mëndafshit, dhe Iranin që furnizon Pekinin me naftë (“rastësisht” dy nga vendet më të prekura). Teherani gjithashtu tregon gishtin nga SHBA dhe udhëheqësi suprem Ali Khamenei ka njoftuar se ai ka refuzuar ndihmën me ilaçe amerikane, sepse “ato janë një mënyrë për të përhapur virusin”.

Është më pak e qartë se kujt i referohej Kardinal Malcolm Ranjith, kryepeshkopi i Sri Lankas, kur tha: “Virusi është produkt i eksperimenteve të paskrupullta nga kombe të pasura dhe të fuqishme” dhe për këtë arsye OKB, sipas tij, duhet të hetojë dhe dënojë autorët për gjenocid. Shtetet e Bashkuara? Kina? Sigurisht që fjalët e tij kishin një jehonë mbarë botërore. Deri në atë pikë sa edhe ish-senatori Domico Scilipoti është i shokuar: “Kush di, të flasë!”. Dhe kush nuk di, të heshtë. /Panorama Italia–Bota.al/