Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë Kurti në njëvjetorin e qeverisjes, duke thënë se është arrogante dhe konfliktuoze.
Abdixhiku në një konferencë për media theksoi se në planin e brendshëm Qeveria Kurti është arrogante, ndërkaq në atë të jashtëm, në dialogun Kosovë-Serbi ishte e papërgatitur, pa platformë dialoguese dhe realisht kthim në dialog teknik.
Kreu i LDK-së po ashtu ka kritikuar qasjen e Qeverisë për krizën energjetike dhe atë të rritjes së çmimeve të produkteve.
Sipas tij, në dy muajt e parë të këtij viti inflacioni ishte 7.5 për qind, ndërsa në muajt e ardhshëm, pritet që inflacioni të jetë dyshifror.
Për Abdixhikun politika e jashtme e Kosovës është izoluar dhe me skandale të pariparueshme.
Ai po ashtu ka folur edhe rreth mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
“Ndryshimet e kauzave të kësaj qeverie janë të zakonshme dhe qytetarët tanë duhet ta kuptojnë se kjo qeveri po i mashtron…”, tha ai.
Sipas kryetarit të LDK-së, Qeveria ka bërë fushatë se nuk do të lejojë një gjë të tillë. “…Ne kemi aprovuar një rezolutë në Kuvend që e kanë sjellë vet dhe është detyrë e saj t’i qartësojë pozicionet e veta”’, tha ai.
Sipas tij, për LDK-në ecja bashkërisht me komunitetin ndërkombëtar në këtë fazë është jetikë më shumë se gjithçka tjetër, por siç tha ai “në të njëjtën kohë qeveria duhet t’i qartësojë pozicionet e veta për shkak të kauzave të ngritura më parë”.