Flet deputeti i Vetëvendosjes që votoi kundër Kodit Civil

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta, ka thënë se u është kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që deputetët e partisë së tij të votojnë pro Kodit Civil.

Por, ndonëse nuk votuan pro këtij kodi, Meta tha se kanë një borxh në aspektin e konsideratës ndaj Kurtit, pasi sipas tij, ata nuk arritën ta bëjnë kompromisin me veten.

“Kryeministri ka kërkuar që të votohet pro. Të gjithë ne që e kemi votuar kundër, kemi një borxh në aspektin e konsideratës ndaj kryeministrit, sepse ai ka kërkuar që ne ta përkrahim këtë ligj, për shumë arsye dhe nuk kemi mundur ta bëjmë një kompromis me vetën dhe ndodhi që shumica të votojë kundër”, ka thënë Meta në Klan Kosova.

Ndërsa, sa i përket çështjes se deputetët votuan kundër për t’i mbajtur votat e tyre, Meta tha se kjo nuk qëndron, por votuan kundër sepse ashtu kanë menduar e ashtu janë shprehur.

“Më bindjen më të thellë njerëzore po e them se asnjë deputetë nuk ka votuar kundër për t’i mbajtur apo rritur votat e tyre, kanë menduar ashtu dhe është shprehur ashtu sepse ashtu mendon më shumë se 70 për qind e popullatës sonë. Natyrshmëria duhet ta ketë vendin e vetë në kundërt mund të mbajmë shenjtërinë e familjes sonë”, është shprehur Meta.

Ndërsa, për kryeministrin Kurti, Meta tha se ai përfaqëson politikën më demokratike dhe, sipas tij, është njeriu me vlerat më demokratike që ka aktualisht skena politike.

Kujtojmë se dje në Kuvendin e Kosovës nuk u miratua Kodi Civil, ku kundër ishin 29 deputetë ndërsa pro 28 e katër vota ishin abstenuese.