Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, përmes një statusi në rrjetin e tij sociale ka goditur shumë ashpër militantët e Vetëvendosjes, të cilët deklaratave të Haxhiut i dhanë konotacion shtetëror.
Behramaj ka thënë se për t’i ikur turpit që i ka mbuluar, partizanët e Vetëvendosjes po mundohen të gjejnë shpëtim edhe në deklaratat e analistëve/gazetarëve që e përfaqësojnë vetëm veten e tyre.
Ai ka thënë se mjerisht këtë po e bëjnë duke shpurdhur në mënyrë krejtësisht konspirative, me ndërlidhje të poshtra për t’u dhënë deklaratave të tyre edhe konotacion shtetëror.
Behramaj ka thënë se nuk i lejojnë që të luajnë me dhimbjen e pashëruar të familjeve të atyre që dhanë gjithçka, që këta sot ta keni lirinë edhe të propagandojnë kaq shumë paturpësisht!
“Gati çdo ditë i kujtojmë dhe nderojmë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e popullit tonë. I kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e luftës, duke ripërsëritur që si shtet nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi deri sa kriminelët serbë të përgjigjen dhe të dënohen për krimet e tyre. Pandalshëm, po ashtu, i bëjmë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të mos i amnistojë kriminelët serbë. Ndërsa, këta partizanët e Vetëvendosjes, për t’i ikur turpit që i ka mbuluar po mundohen të gjejnë shpëtim edhe në deklaratat e analistëve/gazetarëve që e përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Mjerisht, këtë po e bëjnë duke shpurdhur në mënyrë krejtësisht konspirative, me ndërlidhje të poshtra për t’u dhënë deklaratave të tyre edhe konotacion shtetëror. Asnjë ligj, në veçanti e drejta ndërkombëtare, nuk parasheh parashkrim të krimeve të luftës, sidomos për vrasjet, masakrat dhe gjenocidin. Nëse në të kaluarën keni arritur të krijoni kauza politike të rreme, sepse askush nuk është marrë me juve, më nuk ju lejojmë ta helmoni publikun me çorodinë e imagjinatës suaj. Nuk ju lejojmë të luani me dhimbjen e pashëruar të familjeve të atyre që dhanë gjithçka, që ju sot ta keni lirinë edhe të propagandoni kaq shumë paturpësisht!”, ka shkruar Behramaj.