Sadat Shkodra, Luan Statovci, Berat Nika, Salih Statovci, Hasan Maxharaj, Kushtrim Zogaj dhe Pajtim Krasniqi, nuk do të jenë nën masën e paraburgimit gjatë gjykimit për korrupsion ndaj tyre dhe 14 të përfshirëve të tjerë në rastin e njohur si “Subvencionet 1”.
Kjo pasi që masa e caktuar nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 24 janar 2022 dhe e lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit më 3 shkurt 2022, është ndryshuar nga Gjykata Supreme e Kosovës më 15 mars 2022, me atë të paraqitjes në stacionin policor.
Kjo gjykatë, masën e paraburgimit e ka zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor, pasi që ka vlerësuar se nuk është i arsyeshëm vazhdimi i paraburgimit dhe se masa e paraqitjes në stacionin policor është masë e mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurve në procedurë.
Një vendim i tillë, është marrë nga kolegji i Gjykatës Supreme i përbërë nga gjykatësit Valdete Daka, Rasim Rasimi dhe Agim Maliqi.
Gjykata Supreme ka konstatuar se në rastin konkret, nuk është i arsyeshëm vazhdimi i paraburgimit ndaj të pandehurit sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurit tjerë si masë më e rëndë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale, edhe pse ekzistojnë kushtet e parapara me nenin 187, par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, të Kodit të Procedurës Penale.
“Nga shkresat e lëndës rezulton se nuk ka ndonjë rrethanë konkrete apo të posaçme që e tregon se të njëjtit do të arratisen, do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale apo do të përsërisin veprën penale, andaj kjo gjykatë vlerëson se edhe me masën e paraqitjes në Stacionin Policor mund të sigurohet prania e të pandehurve në procedurë, ndërsa masa e paraburgimi caktohet/vazhdohet vetëm nëse asnjë nga masat alternative nuk mund të jenë efektive në aspektin e parandalimit të arratisjes apo përsëritjes së veprës penale dhe zhvillimit të papenguar të procesit penal, e që një situatë e tillë në rastin konkret, sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, nuk ekziston”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.
Supremja ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Shkodra, avokati Isa Salihu derisa për pesë të akuzuarit tjerë sipas detyrës zyrtare ka vendosur që t’ua ndërpres masën e paraburgimit.
“Përkundër faktit se të pandehurit Luan Statovci, Berat Nika, Salih Statovci, Hasan Maxharaj, Kushtrim Zogaj dhe Pajtim Krasniqi nuk kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, kjo gjykatë vlerësoi se arsyet për të cilat ka marrë vendim në dobi të pandehurit Sadat Shkodra, e që nuk janë të natyrës personale, shkojnë në dobi edhe të pandehurve tjerë, të cilët nuk kanë parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, konform nenit 397 të KPPK-së (beneficium cohaesionis) vendosi edhe për këta të pandehur si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Supremes.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 janar të vitit 2021 kishte nisur veprimet e para hetimore në drejtim të hetimit të disa zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësorë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, pas dyshimeve për dallavere me subvencione.
Dyshimet e para ishin se në kohë dhe në vende të ndryshme kanë pranuar ryshfet në forma të ndryshme, kanë dhënë ryshfet dhe të njëjtin e kanë ndarë mes vete me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitonin dobi pasurore.
Mjetet i kishin përfituar duke aplikuar për subvencione, apo duke mundësuar aplikimin dhe në mënyrë të kundërligjshme më pas kanë ndërruar kulturën nga gruri në bujqësi organike me qëllim të përfitimit të subvencioneve.
Pas zhvillimit të hetimeve për pak më shumë se një vit, prokurori Rafet Halimi më 22 shkurt 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave të cilët i ngarkon me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit” dhe ndihmë në “Marrje ryshfeti”, “Mashtrim në detyrë”, “Dhënia e ryshfetit”, “Mashtrim me subvencione” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Me këtë aktakuzë do të përballen, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.
Seanca fillestare ishte caktuar të mbahet më 9 mars 2022 nga gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Kujtim Krasniqi.
Mirëpo, sipas njoftimit nga zyra e gjykatësit, e njëjta ishte anuluar dhe se aktakuza pritet të kthehet në plotësim. /BetimiPërDrejtësi/