Kurti e Hajdari flasin për shkarkimet e drejtorëve në KEK e Telekom

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike Rozeta Hajdari, u janë adresuar mediave përmes një video-incizimi.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti, fillimisht falënderoi punëtorët dhe specialistët e Ndërmarrjeve tona publike të cilët janë duke punuar e ofruar shërbimet jetike për vendin tonë në këto kohë të vështira të pandemisë COVID-19.

“Motivi i këtij falënderimi lidhet padyshim edhe me rolin e tyre të patjetërsueshëm që megjithatë kanë bërë në mbrojtjen e ndërmarrjes ku janë pjesë. Falë tyre shumë ndërmarrje edhe pse me goditje të orkestruar nga ish drejtuesit e menaxherët e lartë, nuk kanë falimentuar”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

“Shumë tajkunë në vendin tonë u bënë të tillë në një masë të konsiderueshme duke gërryer depozitën e madhe të pasurisë publike të ndërtuar me mundin e qytetarëve apo të trashëguara nga gjeneratat paraprake. Kështu mijëra kontrata, miliona fonde dhe mungesa e besnikërisë së ish drejtuesve publikë krijuan kushtet që shërbimet publike të këtyre ndërmarrjeve për çdo sezon të merrnin goditje derisa shumë prej tyre mbetën pa të ardhura dhe me vështirësi për të paguar vetë punëtorët”.