Kush janë dhe sa paguhen të huajt që luftojnë për Ukrainën?

Mijëra njerëz po i përgjigjen një kërkese të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që “kushdo” nga “Evropa dhe bota” mund të vijë dhe të luftojë së bashku me popullin e tij kundër forcave pushtuese ruse. Aty është edhe një djalë i ri shqiptar, i quajtur Ermal Bazanji. Ai i është bashkuar Legjionit Kombëtar të Gjeorgjisë, i përbërë nga shumë të hauj, që vijnë nga vende të ndryshme të botës, me një qëllim të përbashkët, mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave perëndimore, nga një regjim totalitar si ai i Rusisë së Putinit.

Në një konferencë shtypi të shtunën, Zelenskyy kërkoi që “çdo mik i Ukrainës që dëshiron t’i bashkohet luftës për ta mbrojtur këtë vend”, mund të shkonte atje, dhe ai do t’u jepte armë.

“Kushdo që mbron Ukrainën është një hero”, tha Zelensky, disa ditë më parë duke njoftuar pagat për luftëtarët në shumën prej 3000 euro në muaj. Një deklaratë zyrtare e lëshuar të dielën përshkruan planin e qeverisë së tij për të krijuar “Legjionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës”, një divizion i ushtrisë ukrainase i përbërë nga vullnetarë të huaj.

The Independent shkruan se “dhjetëra ish-ushtarë dhe civilë të zakonshëm nga vende të tilla si Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, po mbledhin fonde për t’iu bashkuar luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Buzzfeed News pohoi se një grup prej dhjetë veteranësh të operacioneve speciale të trajnuar nga NATO, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania po “përgatiteshin të kalonin në Ukrainë” nga Polonia për t’iu bashkuar Legjionit Ndërkombëtar.

Sipas The Times, “qindra britanikë” i shkruajtën ambasadës ukrainase në Mbretërinë e Bashkuar për të dalë vullnetarë pas pushtimit rus.

Në mesin e të huajve që i janë bashkuar kësaj lufte, është edhe i riu shqiptar, me emrin Ermal, i cili thotë se vjen nga një familje me të kaluar ushtarake. Ai thotë se është në këtë luftë për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat europiane të cilat po cenohen nga një shtet totalitar si Rusia, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ermali, motiv për t’iu bashkuar kësaj lufte, thotë se ka edhe atë se çfarë bënë serbët e edhe mercenarët rusë në luftërat kundër shqiptarëve para më shumë se një 20 viteve. Ndërsa ajo që e bashkon me Legjionin Kombëtar të Gjeorgjisë, është e kaluara e tyre e përbashkët me shqiptarët në agresionin e rusëve, por edhe mercenarëve serbë, disa vite pas luftërave në ish’Jugosllavi. Duhet kujtuar se Gjeorgjia u sulmua ushtarakisht nga Rusia në vitin 2008, duke i shkëputur asaj dy regjione Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, të cilat më pas u njohën nga Rusia si republika të pavarura.

Rusia, ndërkohë, ka lëshuar një paralajmërim për të huajt që planifikojnë të luftojnë kundër forcave ruse në Ukrainë se ata do të përballen me ndjekje penale në rast të zënies robë.

“Dua të theksoj zyrtarisht se mercenarët e dërguar nga Perëndimi për të ndihmuar regjimin nacionalist të Kievit (…) nuk kanë të drejtë të kenë statusin e të burgosurit të luftës,” tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes Igor Konashenkov , duke shtuar se çdo i huaj “duhet të mendojë shtatë herë”, përpara se të bashkohet me ushtrinë ukrainase sepse Rusia do t’i mbajë ata “penalisht përgjegjës nëse i kap”.

Thirrja për përforcime të huaja është “e paprecedentë në luftën moderne” dhe “kujton përfshirjen ndërkombëtare në Luftën Civile Spanjolle të viteve 1930”, shkruan The Guardian. Megjithatë, shtetasit e huaj kanë “luftuar në Ukrainë që nga viti 2014”, kur rebelët e mbështetur nga Rusia kapën ndërtesat qeveritare në rajonet Donetsk dhe Luhansk, të njohura së bashku si Donbas.

Shumica e luftëtarëve të huaj aktualisht në Ukrainë vijnë nga vende të tjera post-sovjetike, si Gjeorgjia dhe Bjellorusia. Luftëtarët perëndimorë që erdhën në Ukrainë janë një ekuipazh shumëngjyrësh. Ka idealistë që besojnë se vendet e tyre nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndihmuar ukrainasit të sigurojnë lirinë e tyre. Ka turistë që hidhen nga konflikti në konflikt duke kërkuar aventura, histori lufte dhe para. Dhe ka ekstremistë që kanë parë mundësinë për t’u lidhur me grupet paraushtarake të ekstremit të djathtë që luftojnë në Ukrainë. Sigurisht, disa nga të huajt bëjnë pjesë në më shumë se një kategori.