Futbollisti legjendar, Paolo Maldini gjatë karrierës ka fituar plot 25 trofe. Ka shtatë tituj të kampionit dhe pesë trofe të Ligës së Kampionëve, ndër të tjera.
Por Maldini po ashtu ka humbur shumë finale.
“Unë jam humbësi më i madh në histori. Kam fituar shumë, por kam humbur tri finale të Championsit, një ndeshje të Superkupës, tri finale të Kupës Interkontinentale, një finale të Botërorit, një finale evropiane, një gjysmëfinale të Botërorit”, ka thënë Maldini ditë më parë.
Gazeta e njohur spanjolle, Marca të shtunën ka publikuar listën e humbësve më të mëdhenj në futboll. Të gjithë janë emra të njohur të futbollit, por që në finale jo gjithnjë kanë pasur fat.
Javier Mascherano
Ka mbi 20 trofe të fituar. Ka fituar tituj me River Platen, Corinthiansin dhe Barcelonën. Ka dy trofe të Championsit e po ashtu dy medalje të arta olimpike.
Por ish-kapiteni i Argjentinës prezanton frustrimin e gjeneratës së Messit, Agueros, Di Marias, Higuanit.
Mascherano i ka humbur plot 11 finale, një më tepër se Messi. Me Argjentinën ishte nënkampion në Botërorin 2014 e po ashtu katër herë në Copa America.
Patrice Evra
Evra ka fituar tituj me Monacon, Manchester Unitedin, Juventusin. Ka gjithsej 21 trofe. Mbrojtësi i majtë, tashmë i pensionuar, megjithatë ka bilanc negativ sa i takon finaleve.
Ai është futbollisti me më së shumti finale të Championsit të humbur, gjithsej katër. Ka humbur edhe finalen e Euro 2016 nga Portugalia.
Arjen Robben
Ylli holandez është një tjetër futbollist që ka fituar tituj në shumë vende. Ka fituar me PSV Eindhovenin, Chelsean, Real Madridin, Bayernin.
Ai po ashtu ka humbur gjashtë finale, dy në Ligën e Kampionëve, tri në Superkupë dhe një të Botërorit (2010). Tri finalet e para të humbura bënë që ai të njihej një kohë si “humbësi”.
Michael Ballack
Plot trembëdhjetë tituj i ka fituar mesfushori i famshëm gjerman. Por viti 2002 nuk ishte i mbarë për Ballackun. Atë vit ai i humbi të gjitha. Humbi titullin e Gjermanisë në ndeshjen e fundit. Humbi më pas finale e Kupës me Leverkusenin nga Schalke. Bayer Leverkuseni kishte humbur edhe finalen e Championsit nga Real Madridi, ndërsa Gjermania humbi finalen e Botërorit nga Brazili.
Ballack ka humbur gjithsej gjashtë finale. Vit i keq tjetër për të ishte 2008-a. Humbi finalen e Evropianit nga Spanja dhe finalen e Championsit.
Hector Cuper
Hector Cuper si trajner ka pasur suksese të shumta. Por ka edhe gjashtë finale të humbura. Si trajner i Mallorcas humbi finalen e kupës në vitin 1998. Një vit më vonë humbi finalen e Kupës së Fituesve të Kupave. Me Valencian ishte edhe më i keq bilanci i finaleve. Pësoi në dy finale të Championsit, në vitet 1999 dhe 2000. Cuper ka humbur edhe finalen e Kupës së Greqisë me Arisin në vitin 2010 dhe finalen e Kupës së Afrikës me Egjiptin në vitin 2017.
Me Interin në vitin 2003 mbeti pa “Scudetto”, ndonëse ishte pranë saj.
Alessandro Del Piero, Lothar Matthaus, Gonzalo Higuain, Gianluigi Buffon, Antony de Avila janë lojtarët tjerë me shumë finale të humbura, raporton Marca.