Situata në Ukrainë, Osmani: Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndaluar çdo destabilizim në rajonin tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar sot në orët e hershme të mëngjesit pasi Kievi zyrtar ka njoftuar se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Presidentja në një postim në Twitter shkruan se Kosova qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj, ndërkohë që theksoi se do të bashkëpunojnë me aleatët për të ndaluar çdo destabilizim në rajonin tonë.

“Kosova qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj, ndërkohë që ata po përballen me pasojat e luftës si rrjedhojë e akteve të agresionit të Rusisë.

Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndaluar çdo destabilizim në rajonin tonë. Hegjemonia e Rusisë nuk do të ketë sukses. Liria dhe demokracia do të mbizotërojnë”, shkruan Osmani.

Ndryshe, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleb, ka shkruar në Twitter se Putini ka nisur “pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulme. Kjo është një luftë agresioni. Ukraina do të mbrojë veten dhe do të fitojë. Bota mund dhe duhet ta ndalojë Putinin. Koha për të vepruar është tani”, ka shkruar ai në Twitter.