Tahir Tahiri nga Sindikata e Bujqve ka paralajmëruar protesta radikale dhe të gjata në rast se kërkesat e tyre për subvencionimin e materialëve bazë të kulturave bujqësore nga Ministria përkatëse të mos merret parasysh.
Tahiri ka thënë se bujqit janë duke u ballafaquar me një situatë tejet të vështirë për shkak të rritjeve të çmimeve, madje ka bujq që po heqin dorë nga prodhimtaria për shkak të pamundësisë financiare.
“Të hënën kemi qenë te ministri Faton Peci. I kemi parashtruar kërkesat tona. Bujqit po ballafaqohen tash e sa kohë me situatën e keqe. Kohëve të fundit, nga kjo krizë e fundit globale, kemi shtrenjtim marramendës të materialit bujqësor dhe kemi presion të madh nga bujqit për t’iu gjet në ndihmë në këtë situatë të vështirë. Ne si Sindikatë e kemi obligim këtë. Zgjidhja e këtij problemi është dora e shtetit si ndihmë për bujqit. Investimet tash janë shumë të mëdha, dhe nuk e di a do të mund të fitojnë nga shitja e produkteve e tyre. Disa bujq kanë hequr dorë nga prodhimtaria, ndërsa disa fermerë po i shesin blegtoritë në pamundësi për t’i mbajtur. Rritja e çmimeve është ndikuesi më i madh. Shteti duhet të ndihmojë bujqit tani me subvencionimin e plehrave azotike dhe për plehra fosforike. Mirëpo me këto çmime bujqit kanë hamendje, a të hyjnë në prodhimtari apo jo. Ne kemi kërkuar nga ministri Peci që ndihma te plehrat të jetë 40 për qind, te fara çmimet janë rritur 100 për qind dhe nafta të paguhet 50 për qind. Mekanizmi i fundit është protesta, ne do t’i shfrytëzojmë mekanizmat e dialogut dhe me shkrim paraprakisht. Nëse këto nuk funksionojnë, do të vazhdojmë me protesta të cilat po kërkohen të jenë radikale dhe shumë të gjata”, ka thënë Tahiri në emisionin “SOT” të KTV-së.
Ai ka kërkuar që buxheti për bujqësinë të jetë dyfish më i madh, por është i vetëdijshëm që një gjë e tillë është shumë e vështirë të ndodhë.
“Bujqit kanë pasur nevoja shumë të mëdha, dhe asnjë qeveri nuk ka mundur t’i dalë në ndihme bujqve siç duhet. Buxheti për bujqësinë të jetë dyfish më i madh. Mirëpo, ne po e dimë buxhetin e Kosovës dhe në çfarë gjendje është shteti. Nuk kemi shumë shpresa për këtë. Kemi kërkuar edhe më herët që ai buxhet që është të mos keqpërdoret, por të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur. Tani me ministrin Peci dhe Qeverinë e re po shohim sinjale pozitive sa i përket kësaj çështje”, deklaroi Tahiri.