Fondi i Kursimeve Pensionale ëhstë deklaruar pas kërkesës për një tërheqje të mundshme të mjeteve financiare nga ana e qytetarëve që kanë llogari në TRUST.
Derisa në opinion është ngritur kërkesa për një tërheqje të mundshme të mjeteve financiare nga qytetarët që kanë llogari në Fondin e Kursimeve Pensionale, zyrtarë të TRUST-it kanë thënë se nuk mund të marrin ndonjë vendim, pasi sipas tyre kjo nuk është kërkesë institucionale.
Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, Jeton Demi – zëdhënës i TRUST-it, ka thënë se të njëjtit mund të deklarohen vetëm për çështje që bien në fushën e veprimit të tyre.
“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale të qytetarëve të Kosovës deri në pensionim. Kjo nënkupton zbatimin e legjislacionit në fuqi, i cili nxirret nga institucionet përgjegjëse të vendit”, ka thënë Demi.
Përpos kësaj, Demi ka theksuar se çështja e ngritur është në nivel të vlerësimit individual dhe ende jo në atë institucional.
“Ne mund të deklarohemi vetëm për çështje që bien në fushën e veprimit tonë institucional. Për më tepër, çështja e ngritur, është në nivel të vlerësimit individual dhe jo institucional”, shtoi ai.
Në anën tjetër, lajmi.net, ka kërkuar përgjigje edhe nga ana e Ministrisë së Financave, por që të njëjtit ende nuk janë deklaruar.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ditë më parë ka propozuar që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve të tyre nga Trusti Pensional.
Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se pas shtrenjtimit të çmimit të rrymës dhe produkteve, është e nevojshme që Qeveria ta sjellë këtë propozim.
Haxhiu ka propozuar që personat që kanë më pak se 10 mijë kursime të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve të tyre, ata që kanë deri 20 mijë euro të kenë drejtën të tërheqin 25 për qind, ndërsa ata që kanë nga 20 mijë deri 30 mijë euro të kenë të drejtën të tërheqin 20 për qind të kursimeve të tyre.
“Me këtë propozim qytetarët që kanë të ardhura më të ulta do të mbështeten me shumë, ata që kanë me pak mjete në Trust t’u lejohet të tërheqin me shumë mjete me qëllim që ta përballojnë më lehtë situatën aktuale për shkak të krizës ekonomike dhe rritjes enorme të çmimeve në të gjithë sektorët pa dallim”, tha ai.
Po ashtu, edhe njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë, kanë propozuar që Qeveria e Kosovës t’ua mundësojë qytetarëve edhe një tërheqje nga Fondi Pensional, prej 20 për qind.
Kjo, sipas tyre, do ta zbuste sadopak situatën e vështirë financiare aktuale, si dhe do të ndikonte në rritjen e konsumit dhe ngjalljen e aktivitetit ekonomik te bizneset.
Mustafë Kadrijaj, ekspert i ekonomisë, thotë se pandemia COVID-19 e ka bërë të veten dhe ka ndikuar në të gjitha fushat, në uljen e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e krizës ekonomike dhe financiare.
Kadrijaj tha se meqë Qeveria e Kosovës nuk po mund t’i përkrahë bizneset dhe qytetarët, së paku duhet t’ua japë mundësinë që qytetarët t’i tërheqin 20% nga Trusti.
“Meqë kjo qeveri nuk po ka asnjë zgjidhje dhe as nuk po i përkrah përmes buxhetit, së paku duhet t’ia lejojë qytetarëve që t’i tërheqin kursimet e tyre. Fuqia financiare ndikon në rritjen e konsumit që do të kishte ngjallë edhe aktivitetin ekonomik te bizneset, por edhe do të kishte fuqizuar portofolin e çdo qytetari. Është shumë e mirëseardhur për qytetarët tërheqja e 20 % të Trustit për faktin se do ta lehtësonte jetën ekonomike të tyre”, ishte shprehur ai.
Ndërkaq, tërheqja e 10% të kursimeve ishte mundësuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, i votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë.
Që atëherë kishte pasur propozime që qytetarëve t’iu lejohej të merrnin deri në 30 për qind nga Fondi Pensional i tyre./Lajmi.net/