Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka bërë propozime që të fillojë rihapja e vendit dhe të nisë zbutja e masave për disa biznese.
Ai tha se 98 për qind e ndërmarrjeve janë të prekura direkt apo indirekt nga pandemia, ndërsa në rast se zgjat dhe nuk merren masat adekuate mund të rrezikohen mbi 50 për qind e bizneseve, njofton Klan Kosova.
“Krahas gjendjes epidemiologjike duhet me pasë një plan për ekonominë që nuk duhet me ardhë i gatshëm, por që duhet të diskutohet me bizneset.
Duhet të ketë një plan real që nuk është i bazuar mbi paragjykime e as në ekzagjerim të situatës. Na duhet një model që na funksionon”.
Ai rekomandoi edhe disa veprime që duhet t’i ndërmarrin institucionet në javët në vijim.
“Prishtina duhet të hiqet nga karantina që nga java tjetër pasi 50 për qind e ekonomisë së vendit është këtu dhe duke parë kapacitetet për menaxhimin e situatës. Në nivel të Kosovës duhet të lejohet puna në sektore që kanë rrezikshmëri të ulët duke përfshirë ndërtimtarinë dhe pjesën e prodhimit. Edhe pse janë të lejuara disa sektorë, komplet prodhimi duhet të lejohet dhe të jetë në kapacitet të plotë”.
“Mjetet e Pakos Emergjente të futen në qarkullim sepse ndërmarrjet edhe nëse e fillojnë punën duhet të kenë stabilitet dhe të shtyhet pjesa e pagesave të tatimeve që janë edhe një lehtësi për bizneset që kanë pasë vështirësi. Duhet të bëhet hapje graduale e kafiterive, restoranteve dhe transportit me kornizën e mbajtjes së distancës sociale”.
Rukiqi tha se më 10 qershor duhet të jetë e gatshme edhe korniza e rimëkëmbjes ekonomike që duhet bazuar në analiza makroekonomike.
“Çdo pako e rimëkëmbjes duhet të jetë realiste dhe të jetë një pasqyrë e qartë se si është situata e ekonomisë, si dhe të marrim ekspertizën e vendeve të tjera”.
Rukiqi tha se kjo situatë mund të shfrytëzohet për transformim të modelit ekonomik që e kemi pasë deri tash në përkrahjen e sektorëve që kanë aftësi konkurruese.
Ai gjithashtu rekomandoi edhe bizneset që të bëjnë plane dhe organizime.
“Bizneset duhet të përgatiten për masa mbrojtëse, hapësirë që mundëson ruajten e distancës sociale, programe të kthimit të atraksionit që të tërheqin më shumë konsumatorë, të cilët do të hezitojnë të shpenzojnë para tani. Po ashtu, duhet bërë rishikimi i mënyrës së të bërit biznes përmes dixhitalizimit”.
Për nxitje të konsumit, Rukiqi tha se duhet të futen edhe mjetet e trustit apo financimi nga instrumente bankare.