Anëtari i PSD-së dhe ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka treguar se gjashtë aktivistëve të partisë së tij sot i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve, pas arrestimit të tyre në protestën brenda objektit të ZRRE-së.
Kastrati ka kërkuar që të lirohen urgjent aktivistët.
“Gjashtë prej tyre janë në mbajtje prej 48 orë. Kryetarit Dardan Molliqaj, sekretares Teuta Rrusta, Natyra Kuqit, Nol Nushit, Genc Sherifit dhe Frashër Krasniqit, iu ka mohuar liria për 48 orë me vendim të prokurorit. Sot në shërbim të Qeverisë, por edhe mungesës së transparencës, është vendosur Policia e Prokuroria e po tenton me ndal e me ndërpre protestën, reagimin e rezistencën ndaj një vendimi të padrejtë. Ne si PSD kërkojmë urgjent të lirohen edhe këta gjashtë aktivistë, përfshirë kryetarin Dardan Molliqaj, e atë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Kastrati në konferencë për media.
Ish-kryetari i Kamenicës, ka treguar se në këtë protestë janë rrahur dy aktivistë nga policë që ishin pa uniforma. Ndërkohë ai ka thënë se në ditët në vijim do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm se si do të vazhdohet me protesta.
“E kisha ftuar Inspektoratin e Policisë dhe shoqërinë civile, pasi përveç asaj që u pa në kamera, të paktën dy prej aktivistëve, gjatë lëvizjeve në objekt, nga policët civilë janë vendosur në dhoma e ata kanë përdorur dhunë absurde, me qëllim hakmarrje e frikësimi. E ftojmë Policinë e Prokurorinë të mos bjerë pre e Qeverisë apo kujtdo tjetër që me provu me shtyp protestën me dhunë joproporcionale”, ka thënë Kastrati.
E Zgjim Hyseni i PSD-së në fund ka përsëritur kërkesat. Ai ka thënë se në ZRRE thjeshtë kanë kërkuar një dokument që duhej të ishte publik.
“Sa është çmimi i kilovatit, prej 0 deri 800, sa është prej 800 e më lartë, e sa është për qindja e fitimit të KESCOS në gjithë këtë muhabet. ZRRE-ja duhet të përgjigjet”, ka thënë Hyseni.