Muriqi premton gola te Mallorca

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, ka premtuar gola me fanellën e Mallorcas, ekip që këtë edicion po lufton për ta siguruar mbetjen në La Liga. Në fakt, Muriqit i kanë mjaftuar dy paraqitje me skuadrën spanjolle për ta shënuar një gol dhe për t’i fituar zemrat e tifozëve të Mallorcas. Muriqi, i cili iu bashkua Mallorcas muajin e shkuar, ka thënë se është adaptuar shumë mirë në ambientin e ri, pasi që nga momenti kur është kontaktuar nga drejtuesit e ekipit ka ndier besimin e tyre. Muriqi është huazuar te Mallorca nga Lazio dhe ekipi spanjoll e ka opsionin e blerjes së tij në verë për 11 milionë euro nëse siguron mbetjen në La Liga, ndërsa për këta gjashtë muaj italianëve u është paguar një tarifë prej një milion eurosh. Në një intervistë për të përditshmen “El Pais”, Muriqi ka thënë se kishte shumë oferta në afatin kalimtar të janarit, por zgjodhi Mallorcan, sepse ishte i bindur se ishte ekipi i duhur për të. Në dy ndeshje të luajtura deri më tani për Mallorcan – një në kupë dhe një në kampionat – Muriqi ka shënuar një gol. Në duelin e Kupës së Spanjës ndaj Rayo Vallecanos, Muriqi impresionoi me paraqitje për t’u bërë lojtari i parë këtë edicion që luan në Spanjë e që fitoi 15 duele në ajër në 22 sa i pati. Ndërsa në fitoren 2:1 ndaj Cadizit, krahas golit vendimtar të shënuar nga penalltia, ai fitoi edhe 13 prej 15 dueleve ajrore.

“Kam pasur shumë oferta, por e kuptova se në këtë klub të gjithë punojnë së bashku. Drejtori dhe trajneri me thirrën në telefon dhe më bënë të kuptoj se më donin me çdo kusht. Kështu që, te Mallorca po ndihem mirë dhe jam i gatshëm ta ndihmoj klubin në të gjitha mënyrat”, është shprehur Muriqi, që ka folur për golin e parë me Mallorcan. “Doja të gjuaja penalltinë e parë pasi sulmuesit duhet të shënojnë gola dhe penalltia është një mundësi, edhe pse mund ta humbisni. Në të dytën nuk thashë asgjë dhe Salva Sevilla erdhi dhe më dha topin. Ai e kuptoi që duhej të shënoja, është një djalë i mirë dhe ajo që bëri flet për karakterin e tij, i jam shumë mirënjohës që më dha besimin”.

Po ashtu, Muriqi ka thënë se është përshtatur tërësisht në sistemin e lojës së trajnerit Luis Garcia dhe është i bindur se besimin e tij do t’ia shpërblejë me paraqitje të mira dhe gola. Në fakt, Muriqi ka thënë se trajneri i Mallorcas i ka kërkuar atij që të ndihmojë edhe në mbrojtje krahas shënimit të golave.

“Një sulmues duhet të shënojë gola, por fillimisht trajneri dëshiron që unë të bëj një punë specifike në mbrojtje, në presion dhe mbajtjen e topit që të vijnë shokët e mi. Kjo nuk është e re për mua. Me mua dhe sulmues të tjerë shtatlartë si Fer Ni no apo Matthew Hoppe, skuadra mund të luajë me topa të gjatë”, ka shtuar Muriqi.

Edhe pse ende nuk është stabilizuar në La Liga, Muriqi thotë se në Serie A duelet ajrore janë shumë më të forta se në Spanjë. Ai po ashtu pranon se te Lazio nuk arriti të dëshmohet, ndonëse insiston se nuk pati fat. Muriqi iu bashkua Lazios në verën e vitit 2020 nga Fenerbahçe dhe përkundër që punoi me trajnerët Simone Inzaghi e Maurizio Sarri, sulmuesi nuk dëshmoi vlerat e veta në Itali. Për kartonin e tij, Lazio i pagoi Fenerbahçes 20 milionë euro dëmshpërblim, që për Muriqin nuk ishte i lartë përkundër që me fanellën e ekipit italian shënoi dy gola për një sezon e gjysmë.

“Në ligën italiane ka më shumë cilësi se në atë turke dhe unë u lëndova në fillim. Më pas u infektova me koronavirus dhe vuajta, sepse te Lazio kishte një nivel të lartë dhe nuk ishte e lehtë të arrija shokët e skuadrës. Shumë herë nuk kam pasur fat, por është gjithashtu e vërtetë qëkur më kanë dhënë mundësi nuk kam dalë mirë”, ka pranuar Muriqi. “Nuk kanë paguar 20 milionë për asgjë, kam shënuar gola në Turqi dhe në kombëtare. Mund të paguash 100 milionë për një lojtar, por kur ka lëndime nuk mund të japësh më të mirë dhe atë që presin të gjithë prej teje, ky është futbolli”.

Muriqi 27-vjeçar ka kontratë me skuadrën e Lazios deri në verën e vitit 2025.