Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes ish-zëvendëskryeministrit Avduallah Hoti, është duke synuar që pas rrëzimit të qeverisë të udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, të udhëheq me qeverinë e re.
LDK është duke bërë përpjeke që së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate dhe partitë nga minoritetet të formojnë një koalicion, me të cilin synojnë të sigurojnë shumicën e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo sipas deklaratave të anëtarëve të strukturave të AKK-së, kjo parti për një pozitë të ministres pritet ta propozoi Meliza Haradinaj-Stublla, e cila gjatë vitit të kaluar ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht dhe 100 euro gjobë për akuza për mos deklarim ose deklarim të rremë të pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E njëjta ka qenë këshilltare e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe nga prokuroria pretendohet se ajo përmes formularit për deklarimin e pasurisë, të Agjencisë Kundër Korrupsion, nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, edhe pse ka qenë e obliguar të bëjë një gjë të tillë.
I nominuari për kryeministër nga LDK, Avduall Hoti, pasi të enjten mori besimin e partisë së tij, së bashku me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, në një konferencë për media shpalosën edhe planin për formimin e qeverisë së re. Në atë konferencë Mustafa tha se në qeverinë që synon ta drejtoi LDK-ja nuk do të ketë persona që kanë pasur dhe që kanë probleme me ligjin.
“Do t’i përmbahemi parimeve që i kemi deklaru se duhet të kemi figura të pastërta, të cilët nuk kanë pasur problem në të kaluarën, s’kanë problem edhe tani, të cilët do të jenë në qeveri edhe në pozita tjera qeveritare edhe të cilët do të jenë të përkushtuar që në mënyrën më të mirë t’i shërbejnë vendit”, ka thënë Mustafa.Mirëpo, kryesia e ngushtë e AAK-së, që shihet si partner i LDK-së, ka vendosur që në propozimet e saj për ministrat e ardhshëm të përfshij edhe anëtarë të cilët janë në një proces gjyqësorë, për akuza për korrupsion.
Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për “Telegrafin” ka thënë se kryesia e ngushtë e kësaj partie ka vendosur se në mesin e propozimeve për ministra të përfshihet edhe Meliza Haradinaj-Stublla.
“Në kryesinë e ngushtë, unanimisht janë përkrahur: Besnik Tahiri, Selim Selimi, Meliza Haradinaj. Por duhet që Këshilli drejtues t’i votojë”, ka thënë të enjten Lekaj për Telegrafin.
Ndërsa edhe sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri, në një konferencë për gazetarë të mbajtur këtë të premte, ka thënë se këta emra janë përmendur si profile të mundshme për ministra, por akoma nuk është vendosur përfundimisht në të gjitha organet e partisë.
Ndryshe, më 4 tetor 2019 Meliza Haradinaj-Stublla ishte gjetur fajtore në lidhje me akuzuat lidhur me veprën penale “mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.
Ajo nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti dhe me 1000 euro gjobë “Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar edhe me Gjykatën e Apelit, për të kuptuar se a është vendosur lidhur me ankesën e saj ndaj këtij aktgjykimi, mirëpo sipas përgjigjes së kësaj gjykate, kjo lëndë ka arritur në shkallën e dytë më 13 mars 2020 dhe akoma nuk është vendosur.
“Lënda ne fjale ne Gjykatën e Apelit ka ardhur më 13.03.2020. Nuk është vendosur akoma”, thuhet në përgjigjën e zëdhënësit të Gjykatës së Apelit Arbër Jashari.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë. Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, me zyre nr “108 Woolmead Avenues në “Companies House”, edhe pse ka qenë e obliguar. /Betimipërdrejtësi/