KESCO ka njoftuar se e ka pranuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë që hyjnë në fuqi nga data 9 shkurt deri me 31 mars të vitit të ardhshëm. ZRRE-ja ka prezantuar aplikimin e bllok-tarifave për konsumatorët familjarë.
KESCO ka thënë se është e përgatitur për implementimin e këtyre tarifave.
Për konsumin deri në 800 kWh nuk ka rritje. Pra, kjo vlen për të gjithë konsumatorët dhe të gjithë do të vazhdojnë të paguajnë njëjtë për 800 kWh e parë. Bllok tarifa që fillon nga shpenzimi mbi 800 kWh e tutje do të afektojë rreth 22 për qind të konsumatorëve. Pra, për 78 për qind të konsumatorëve nuk do të ketë fare rritje, thuhet në një njoftim të KESCO-s.
Por, konsumatorët duhet të kenë kujdes pas kalimit të pragut ku është vendosur bllok tarifa. Kjo, pasi kilovatët e shpenzuar nga 801 e tutje kanë çmim të ndryshuar, që nxit kursimin e energjisë elektrike.
KESCO po ashtu ka thënë se është duke punuar në përditësimin e tarifave në aplikacionin e-KESCO, prandaj disa të dhëna nuk mund të shfaqen për momentin.