LDK, AAK dhe Nisma, janë pajtuar për koalicion qeverisës, dhe Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka arritur të mësojë se cilat ministri do t’i drejtojë partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, dhe emrat që do t’i udhëheqin ato.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do t’i ketë katër ministri, dhe postin e zëvendëskryeministrit të qeverinë e cila do të drejtohet nga Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së LDK-së.
Gazeta Online ‘Reporteri’, nga burime brenda AAK-së, ka mësuar se këto ministri janë: Ministria e Jashtme, Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Përveç kësaj, AAK ka arritur t’i caktojë edhe emrat e ministrave të saj në këtë qeveri, e edhe emrin e zëvendëskryeministrit.
Gazeta Online ‘Reporteri.net’, ka mësuar se ministrinë e Jashtme, do ta drejtojë Meliza Haradinaj; Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuqi; Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, dhe ministrinë e Arsimit, Ramë Lika. Ndërsa, zëvendës i kryeministrit Avdullah Hoti, nga AAK do të jetë Besnik Tahiri.
Të gjithë këta emra janë të njohur për opinionin, përveç emrit të Ramë Likës, i cili është përzgjedhur si ministër i Arsimit. Por, Gazeta Online ‘Reporteri’, mëson se ai është profesor universitar.
Sipas sekretarit të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili është përzgjedhur tani të jetë zëvendëskryeministër në qeverinë Hoti, qeveria e re pritet të votohet në Kuvend gjatë javës së ardhshme.