Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala në një konferencë për media ka thënë PDK është kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike nga 1 shkurti sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Shala tha se përkundër paralajmërimeve të hershme të PDK-së, e cila ka informuar institucionet e vendit dhe sektorin energjetik, Qeveria e Kosovës me paaftësinë e saj menagjuese, dhe ndërhyrjet politike në ZRRE, ka planifikuar ngritjen e çmimeve si të vetmen masë në këtë krizë.
“Konsistenca e Partisë Demokratike vazhdon edhe më tutje, sepse konsiderojmë që nuk është koha, rrethanat, dhe as mënyra e duhur për rritjen e çmimit të energjisë. Këtë konstatim e arsyeton situata e inflacionit të lartë, situata e pandemisë, situata e sezonit dimëror, ku qytetarët dhe gjithë taksapaguesit janë shumë të rënduar për shkak të këtyre faktorëve. Qeveria e Kosovës në vend që të sjellë alternativa të daljes nga krizat, ajo ka kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtoj projektet alternative energjetike, i tha JO gazit Amerikan, i tha JO investitorëve strategjik të energjisë së erës, i tha JO të gjitha burimeve tjera alternative.”, theksoi ai.
Shala konsideron se planifikimi i përbashkët Qeveri-ZRRE për ngritjen e çmimit të energjisë, i prezentuar përmes raportit konsultativ, është manipulativ në shifra dhe në përmbajtje, është i paligjshëm dhe diskriminues.
“Si asnjëherë deri më tani, raporti konsultativ i Qeverisë dhe ZRRE-së, lë jashtë kufinjëve 4 komunat e vendit duke mos i përfshirë në ngritjen tarifore që ka paraparë për pjesën tjetër të vendit. Pra kjo ndarje është e papranueshme dhe e paligjshme. Kjo është pabarazi e lartë mes qytetarëve të Republikës sonë. Kjo Qeveri po heq dorë nga shtrirja e sovranitetit energjetik shtetëror, e në anën tjetër në kurriz të taksapaguesve të pjesës tjetër, paguan shpenzimet qindra milionëshe të pjesës veri.”, tha ai.
Shala ftoi sërish ZRRE-në ta rikthej në pikën zero raportin konsultativ, dhe në një afat optimal të sjellë një raport profesional dhe gjithëpërfshirës, të pa ndikuar politikisht nga Qeveria e Kosovës.