Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se ai nuk do të organizojë protesta Protestë sonte nga ballkoni dhe dy protesta të tjera gjatë fillimit të muajit maj, janë paralajmëruar në rrjetet sociale, si reagim i rrethanave të fundit politike në vend.
Grupi i aktivistëve “Replikë” ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që sonte në ora 20:00 përmes zhurmës me tenxhere të kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare pas përfundimit të pandemisë COVID-19. Kurse, më 4 maj, duke filluar nga ora 14:00, po bëhet ftesë për të marrë pjesë në manifestimin për zgjedhjet.
Në këtë ftesë thuhet se pas përfundimit të ligjit për kufizimin e lëvizjes për parandalimin e COVID-19, të hënën 4 maj, të ‘dalim të gjithë në manifestim për mbrojtjen e Republikës së Kosovës’. ‘Duam zgjedhje dhe nuk e lejojmë vjedhjen e pushtetit. Duam një Qeveri legjitime dhe të zgjedhur nga vota e popullit të Kosovës.
Mos e shpërfillni vullnetin e popullit. U bo boll ! Jemi lodhë. Të bëhemi sa më shumë që e kundërshtojmë këtë vjedhje të pushtetit,” thuhet në njoftim. E menjëherë të nesërmen, më 5 maj, në rrjetet sociale po bëhet ftesë për një protestë paqësore , duke filluar nga ora 14:00 në sheshin ‘Skënderbeu’.
Të dy protestat e fundit po mbështeten nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, përkundër asaj që kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se ai nuk do të organizojë protesta. Por gjithashtu, Kurti dje në takimin me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se veprimet e fundit të presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik.
Ai ka shtuar se si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar.