Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar aspiratat e ish-zëvendësit të tij, Avdullah Hoti, për t’ia zënë vendin.
Ai tha se ai ka qenë destruktiv gjatë bashkëpunimit me të dhe tha se presidenti Hashim Thaçi po e do një kryeministër të dobët që s’mundi ta gjejë tek ai, njofton Klan Kosova.
“Nuk mund të komentoj dëshirat e të gjithë njerëzve për dëshira dhe posta, por për ish-zëvendësin tim që u shkarkua me 25 mars mund të them se gjatë qeverisjes tonë ka qenë destruktiv dhe thua se e kishte një kovë me zall në krye që t’ua hedhë rrotave të qeverisë më të mirë të pasluftës dhe të na ngadalësojë ecjen tonë”.
“As në 10 njerëzit më të votuar nuk është. Pra, nuk bëhet fjalë për demokraci, por për legjitimitet. Bëhet fjalë për dëshirën e presidentit që të ketë një kryeministër tjetër të dobët. Meqë presidenti i Kosovës dëshiron të jetë më shumë se presidentin atij i nevojitet një kryeministër që është më pak se kryeministër”.
“Ai do kryeministër të dobët që ia mbanë isën në intencën për ta shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme. Me mua nuk e bëri dot, prandaj u zmbraps. Shkoi në Washington u kthye pa marrëveshje. Erdhi këtu në Këshillin e Sigurisë iku pa vendim. Pra, presidenti është zmbraps me këtë Qeveri dhe me të drejtë”.
Kurti tha se presidenti Thaçi nuk është i kënaqur me kompetencat dhe dëshiron më shumë. Për këtë ai i bëri thirrje që të del në zgjedhje dhe të diskutojë për çështjet e vendit.
“Nëse është kështu le të japë dorëheqje dhe të del në zgjedhje. Nëse do më shumë kompetenca le të garon për kryeministër, por jo ta keqpërdorë pozitën e presidentit dhe mandatin kushtetues”.
“Ish-zëvendësi im në vitin 2017 kishte katër herë e gjysmë më shumë vota se në vitin 2019. As çerekun e votave të atij viti s’e ka. LDK ngeli e treta, ish-zëvendëskryeministri as çerekun s’e mori dot. Dhe nëpërmjet presidentin po dëshiron ta marrë mandatin. Unë besoj që duhet të marrin këto lojëra fund njëherë e përgjithmonë”.
“Në një situatë ku kolegja ime në fushatë, rivalja ime në fushatë, sot kryetarja e Kuvendit, zonja e nderuar Vjosa Osmani kishte gati shtatëfishin e votave dhe tash nëpërmjet presidentit, që i kanë ngelur edhe pak muaj mandat, po përpiqet që të katapultohet. Kjo është e paimagjinueshme në një demokraci parlamentare në kontinentin Europian”.
“Këta janë njerëz të rrezikshëm që bëjnë plan pa hanxhiun sepse moti e kanë braktisur popullin, por tashmë edhe populli i ka braktisur ata”.