Selmanaj thotë se abstenoi për tri arsye: Hera e parë që krejt QUINT-i del kundër nesh

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ishte deputeti i vetëm që abstenoi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës në lidhje me mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Ai thotë se këtë e bëri për tri arsye, duke përmendur se seanca e sotme ishte e panevojshme the pa substancë.

“Asnjëherë nuk ka nevojë që Kuvendi të mblidhet për t’ia kujtuar dhe rikujtuar detyrat kushtetuese që kanë institucionet tjera. Detyrat kushtetuese për Kryeministrin, Presidentin dhe Kuvendin janë të shkruara dhe të përcaktuara me Kushtetutë, ato duhet zbatohen me detyrim nga të gjithë, pa pasur nevojë për rikujtim ndaj njëri tjetrit”, ka thënë Selmanaj.

Arsyeja e dytë:

Më tej, deputeti i LDK-së tha se si arsye e dytë e abstenimit të tij është që se seanca e thirrur sot nga kryeministri Kurti ishte për ta shpërndarë një pjesë të përgjegjësisë vendimmarrëse nga, siç e quan ai, pazotësia e tij për të marrë vendime në zbatim të detyrimeve kushtetuese.

“Mungesa e integritetit të tij për të marrë vendime, futi në cirkun e tij krejt në mënyrë të pakuptimtë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Selmanaj, përcjell Klankosova.tv.

Ndërsa, si arsye të tretë për votën e abstenuar, Selmanaj tha se është mënyra e menaxhimit të kësaj situate në relacion me partnerët strategjikë të Kosovës, me theks të veçantë me SHBA-të.

“Është hera e parë në historinë e re të Kosovës, që të gjitha vendet e QUINT-it të dalin kundër nesh. Kjo tregon që Albin Kurti me njerëzit e tij ka cenuar rëndë komunikimin dhe bashkëpunimin me ta. Pasojat e këtij mos bashkëpunimi do i shohim në ditët dhe muajt në vijim. Kam bindjen që ky është vetëm fillimi”, është shprehur Selmanj, transmeton Klankosova.tv.

Në fund, ai tha se sovraniteti dhe integriteti i Kosovës duhet të mbrohen me çdo kusht dhe të ruhen marrëdhëniet e mira me aletatë.